E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditë bankare, interesa të lartë për mungesë konkurrence

BSH u kërkon bankave private të respektojnë ligjin. Norma bazë të interesit mbetet sërish 6.25 për qind

Ervin Koçi

Bankat private në Shqipëri mbajnë interesa tepër të lartë kredish, me gjithë fluksin e madh të tërheqjes së tyre nga qytetarët shqiptarë, duke siguruar kështu fitime të majme. Përveç kësaj, në një pjesë të madhe të këtyre bankave transparenca në lidhje me informacionin mbi kreditë për klientët është mjaft e varfër, duke mos e informuar klientin për risqet e mundshme apo dhe përqindjet e interesave. Banka e Shqipërisë e ka konstatuar një gjë të tillë duk e bërë këtë edhe temë diskutimi në mbledhjet e saj. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të djeshme mori në shqyrtim dhe miratoi Opinionin e Bankës së Shqipërisë “mbi gjendjen e ekonomisë gjatë tremujorit të parë të vitit 2008”. Në përfundim të analizës ekonomike dhe financiare, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind. Por BSH vëren se as mbajtja e palëvizur e normës bazë të interesit të lekut dhe as masat e tjera të përcaktuara në ligj, nuk po respektohen nga një pjesë e bankave private. Ligji i ri “Për bankat”, i miratuar para dy vitesh, i detyron ato të jenë transparente me normat e interesit, edhe pse deri tani ligji nuk po gjen zbatim.

Transparenca

Në faqet web të bankave private, por edhe në internet, e ke të vështirë të mësosh për normat e interesave për depozitat, madje edhe për kreditë. Kështu, të interesuarit jo vetëm që nuk kanë mundësi të njihen me shërbimet që ofrojnë bankat, por vetë këto ente nuk zbatojnë një nga nenet themelore të ligjit “Për bankat” që ka të bëjë me transparencën. Rreth dy muaj më parë guvernatori Fullani, në një takim me administratorët e bankave të nivelit të dytë, i kritikoi bankat për kosto të larta të shërbimeve dhe mungesë transparence. Transparenca e Bankave në marrëdhëniet me klientët ka rezultuar formale. Sipas BSH-së, “në qoftë se një klient i di deri në fund pasojat e kreditimit në valutë kur të ardhurat i ka në lekë, me siguri që ai do të hezitojë. Në qoftë se një klient i kupton shumë mirë kushtet dhe penalitetet, përsëri ai do të hezitojë”. Por bankat nuk i qartësojnë këto detyrime ndaj klientëve të tyre pavarësisht se i detyron ligji dhe një rregullore që ato e kanë pranuar për transparencën. Individët nuk janë të orientuar rreth alternativave më të mira. Ata nuk kanë mundësi të informohen rreth gjendjes financiare të bankës në të cilën kanë të ruajtur kursimet dhe gjithashtu nuk dinë se cila është banka që ofron komisionet më të leverdishme.

Kreditë

Për të siguruar fitime të larta bankat private në vendin tonë abuzojnë me dhënien e kredive si në drejtim të normave të larta të interesit, ashtu edhe në drejtim të transparencës. Shqetësimi i BSH-së në këtë aspekt qëndron në faktin se, përveç rritjes së ritmit të kredisë, bankat më së shumti e japin huan në valutë, ndërkohë që të ardhurat janë në lekë. Abuzime të rënda vihen re edhe në normat e interesit. Përqindjet për kredinë në lekë vazhdojnë të jenë të larta. Duke iu referuar kredisë me afat njëvjeçar, sipas të dhënave të janarit 2008, ekziston një diferencë prej 7.3 pikësh përqindjeje ndaj interesit të depozitave në lekë me të njëjtin afat. Ndërkohë, i njëjti tregues për valutën është 4 për qind. Për të tilla spekulime në vendet e tjera ku ligji zbatohet bankat penalizohen me gjoba të rënda deri në pezullim licencash.

28 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›