INSTAT-i, në shkurt u rritën shkëmbimet tregtare me vendet e rajonit
Shkëmbimet tregtare me Greqinë gjatë muajit shkurt llogariten në vlerën e 5 miliardë e 148 milionë lekëve. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave shqiptare, gjatë muajit shkurt të vitit 2008 importet nga Greqia llogariten në vlerën e 4 miliardë e 427 milionë lekëve, ndërsa eksportet në vlerën 721 milionë lekë. Referuar këtyre shifrave, Greqia vazhdon të mbetet partneri i dytë në shkëmbimet tregtare me vendin tonë, mbas Italisë, që zë vendin e parë. Eksporti me Greqinë llogaritet në 10 për qind të totalit të eksporteve dhe importi 22.4 për qind të totalit. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se si dymujor, eksportet e Shqipërisë drejt vendit fqinj arritën në rreth 1 miliard e 363 milionë lekëve, ndërsa totali i importeve nga Greqia arriti në 9 miliardë e 104 milionë lekë. Në vlerën e lartë të mallrave të importuara nga shteti fqinj, vendin kryesor e zënë minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike. Importi i kësaj kategorie arriti për dy mujorin e parë të këtij viti vlerën e mbi 3 miliardë e 379 milionë lekëve. Ndërsa në vlerën e mallrave të eksportuar drejt shtetit fqinj, vendin kryesor e zë grupi "tekstile dhe këpucë". Eksporti i kësaj kategorie arriti për 2-mujorin arriti vlerën e 762 milionë lekëve. Shkëmbimet tregtare me Maqedoninë gjatë 2 mujorit të parë të vitit 2008, arritën në 4 miliard e 410 milionë lekë. Sipas INSTAT-it, vlera e importeve kapi shifrën e 4.100 milionë lekëve. Eksportet e Shqipërisë me Maqedoninë, gjatë 2-mujorit të vitit 2008, arritën në 310 milionë lekë.
10 Prill 2008