E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi miratoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës



Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme dhe solemne, kanë miratuar dje Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila hyn në fuqi më 15 qershor të këtij viti pas përfundimit të fazës transitore. Në seancën e udhëhequr nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, për rëndësinë e këtij akti të lartë juridik folën presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të UNMIK-ut dhe Misionit Europian, përfaqësues të institucioneve vendore si dhe diplomatë të huaj. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se me Kushtetutën e miratuar Kosova realizoi vullnetin dhe aspiratën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Ky akt juridik sipas Jakupit krijon një bazë të mirë për mbrojtje kushtetuese e ligjore për pakicat, mbi bazat e standardeve më të avancuara europiane. “Kushtetuta si një dokument i rëndësishëm politik dhe juridik është ndërtuar mbi themelet e demokracisë kushtetuese. Kushtetuta gjithashtu u garanton të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim të drejtat themelore dhe barazi para ligjit”, - theksoi Krasniqi. Ndërsa presidenti Fatmir Sejdiu theksoi se Kushtetuta e Kosovës mbështetet në aktet e vendeve me demokraci më të zhvilluar. Ai shtoi se akti më i lartë juridik në Kosovë është në përputhje me vullnetin e shumicës, por garanton dhe respekton plotësisht edhe të drejtat e komuniteteve pakicë. “Me miratimin e Kushtetutës dhe ligjeve bazike shtetërore, Kosova krijon baza të funksionimit të saj si shtet, siguron një ekonomi tregu dhe hap rrugën e integrimit të saj në strukturat euro atlantike”,-vlerësoi presidenti Sejdiu. Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi u shpreh se Kushtetuta përbën vulën e shtetit të Kosovës. Sipas Thaçit kjo kushtetutë do të shërbejë për bashkimin e gjithë qytetarëve pa dallime kombëtare, racore apo fetare. “Vlerat fondamentale janë të mbrojtura me anë të Kushtetutës, e cila është vullneti dhe legjitimiteti ynë si dhe është vula e shtetit të Kosovës. Ajo që po bëjmë, është edhe një hap tjetër historik në rrugën tonë për të ndërtuar shtetin tonë të qëndrueshëm”,-theksoi Kryeministri Thaçi. Kryetari i Komisioni Kushtetues, Hajredin Kuçi, tha se Kushtetuta e Kosovës është hartuar mbi bazën e vullnetit të popullit të saj për pavarësi, respekton dispozitat e marrëveshjes për statusit, përkatësisht pakos së Ahtisarit. “Kushtetuta fuqizon Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran si dhe siguron integritetin territorial, që është i pacenueshëm”, - tha Kuçi duke theksuar se sistemi i drejtësisë garantohet, kurse pushteti gjyqësor është unik, i pavarur dhe i paanshëm, ku siguron qasje të barabartë për të gjithë qytetarët. “Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë kombëtare e sigurisë së republikës sonë, me të drejtë që të dërgojë trupat e saj jashtë vendit me misione paqësore. Kjo forcë do të jetë shumetnike dhe profesionale”, - u shpreh Kuçi. Ky akt juridik e përcakton Kosovën si një shtet qytetar, me shoqëri shumetnike e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera.

UNMIK-u, kundër zgjedhjeve serbe në Kosovë

Pas deklaratës së përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Europian, Havier Solana, i cili u shpreh për mbajtjen e zgjedhjen serbe në Veri të Kosovës, UNMIK-u është shprehur kundër këtyre zgjedhjeve.
Agjenci të ndryshme lajmesh kanë cituar zëdhënësin e administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Aleksandër Ivanko, i cili mësohet të ketë thënë se UNMIK-u do t’ia bëjë të qartë Beogradit se “nëse Serbia vendos të organizojë zgjedhje lokale kudo në Kosovë kjo paraqet shkelje të Rezolutës 1244 dhe ato zgjedhje nuk do të kenë asnjë vlerë ligjore”. Sipas Ivankos këtë qëndrim e mbajnë të gjithë anëtarët e Grupit të Kontaktit.
Ai u shpreh se kjo do të jetë edhe përgjigja që UNMIK-u do t’i dërgojë kërkesës së ministrit serb për Kosovën, Slobodan Samarxhiç, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë edhe në Kosovë. “Ne jemi duke përgatitur një përgjigje ndaj letrës së ministrit Samarxhiç. Ne do të qartësojmë se nëse Serbia vendos të organizojë zgjedhjet lokale edhe në Kosovë, kjo paraqet shkelje të Rezolutës 1244 dhe nuk do të kenë kurrfarë vlefshmërie ligjore”,-tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko. Por deklarata e UNMIK-ut bie ndesh me deklaratën e bërë nga përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme në BE, Havier Solana. Solana deklaroi se zgjedhjet në Serbi kanë një rëndësi të madhe për vetë faktin se ato do të mbahen edhe në Veri të Kosovës, ku banon pakica serbe e Kosovës.

10 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›