E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, sot Kuvendi debaton për shpërndarjen



Kuvendi maqedonas pritet të debatojë propozimin e deputetëve të BDI-së për shpërndarje të Kuvendit. Partia më e madhe në pushtet, VMRO-DPMNE, ka mbështetur nismën e kësaj partie, çka do t’u hapte rrugën zgjedhjeve të parakohshme. Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së, në seancën e dy ditëve më parë vendosi që t`i propozojë Komitetit Qendror që të prononcohet pozitivisht ndaj nismës për shpërndarje të Kuvendit. Komiteti ka vendosur që ky hap të merret për shkak të joefikasitetit në punën e Kuvendit, bllokadës së vazhdueshme nga partitë opozitare, keqpërdorimit të Kuvendit për marketing vulgar politik dhe kthimin e autoritetit të Kuvendit. VMRO-DPMNE-ja lajmëroi se Komitetit Ekzekutiv ka shqyrtuar edhe nismën për formimin e qeverisë teknike, por në kumtesë nuk lajmërohen më shumë detaje. Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së shqyrtoi situatën lidhur me bllokadën nga Greqia për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO gjatë Samitit në Bukuresht dhe me këtë rast autorizoi kryeministrin Nikolla Gruevski të vazhdojë konsultimet më të gjera me grupe ekspertësh dhe parti politike në drejtim të ndërtimit të strategjisë së Maqedonisë lidhur me kontestin që ekziston me Greqinë. Ndërkohë autoritetet greke kanë përsëritur qëndrimin e tyre lidhur me çështjen e emrit. Shefja e diplomacisë së këtij vendi, Dora Bakojanis, është shprehur gjatë ditës së djeshme se nuk do të lejonte në asnjë mënyrë hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe BE pa zgjidhje të çështjes së emrit.
“Greqia me kënaqësi do ta përshëndesë anëtarësimin e Maqedonisë në institucionet veri-atlantike dhe europiane menjëherë pas arritjes së zgjidhjes së pranueshme, të zbatueshme dhe funksionale për çështjen e emrit, pa fitimtarë dhe humbës”,- deklaroi Bakojanis.

10 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›