Solana, thirrje BE-së për nënshkrimin e MSA-së me Serbinë
Bashkimi Europian u ka bërë thirrje vendeve anëtare të bllokut të mbështesin masat e nevojshme për anëtarësimin eventual të Serbisë në këtë bllok. Agjencia e lajmeve VOA ka cituar shefin e politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana të thotë se marrëveshja para anëtarësimit duhet të nënshkruhet para zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, që pritet të mbahen muajin e ardhshëm. Solana ka shtuar se Europa duhet të dërgojë një sinjal të qartë në Parlamentin Europian se populli serb mirëpritet në BE. “Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit që i paraprin anëtarësimit do të shtonte shanset për fitoren e kandidatëve pro perëndimore në 11 maj”,-është shprehur Solana. Por Holanda dhe Belgjika kanë bllokuar paktin e para anëtarësimit me Beogradin, duke kërkuar arrestimin dhe transferimin e shumë të kërkuarve për krime lufte, Radovan Karaxhiç dhe komandantit të tij ushtarak, Ratko Mlladiç.
Medvedev takohet me Ban Ki Mun për Kosovën
“Përpjekjet për zgjidhjen e problemeve globale jashtë Kombeve të Bashkuara janë joproduktive”. Kjo ka qenë deklarata e presidentit të ardhshëm të Rusisë, Dimitri Medvedev, gjatë takimit me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun.
“Të gjitha llojet e përpjekjeve për zgjidhjen e çështjeve duke i shkelur rezolutat e Kombeve të Bashkuara, siç ndodhi në Kosovë dhe në disa çështje të tjera, janë kundër produktive dhe nuk mund të ndihmojnë në arritjen e paqes dhe të stabilitetit”,-u shpreh Medvedev. Ndërsa sekretari Ban Ki Mun tha se asnjë vend, sado i fuqishëm që të jetë, nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet.
Kjo ishte vizita e parë e Ki Mun në Rusi që prej kohës që ai u zgjodh sekretar i përgjithshëm i OKB-së. Moska ka shprehur dyshime ndaj neutralitetit të Ban Ki Mun lidhur me Kosovën dhe beson se interpretimi i tij i rezolutës së Këshillit të Sigurimit për Misionin e OKB-së në Kosovë, favorizon Perëndimin.
10 Prill 2008