“Mjaft”-i proteston: ”Lironi anëtarët e AMGJV-së. Po preken të drejtat e njeriut”
Organizata “Mjaft” ka organizuar një protestë përballë Prokurorisë së Përgjithshme, ku anëtarët e saj kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të anëtarëve të Aleancës së Mbrojtjes së Gjirit të Vlorës. “Duke pasur parasysh rastin e tre aktivistëve të Vlorës, ku shteti përdori gjithë sistemin e tij për të kundërshtuar ligjet e veta, duke pasur parasysh mosreagimin e klasës politike për aktivistët të cilët u arrestuan dhe mbahen në burgun e sigurisë së lartë në Rrogozhinë me një vendim të pabazuar në asnjë ligj kombëtar apo ndërkombëtar, ne besojmë se ky vend po shkon gradualisht drejt një sistemi fashist”, - tha përfaqësuesi i “Mjaft”-it, Leart Kola. Aktivistët e lëvizjes “Mjaft” dorëzuan brenda Prokurorisë të gjitha “dosjet” e aksioneve dhe të protestave të tyre, duke kërkuar burgosjen, njësoj si dhe aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Gjirit të Vlorës. “Duke qenë se lëvizja “Mjaft” gjatë këtyre 5 viteve dhe në vitet që do të vijnë ka një bindje se do ta thotë gjithmonë fjalën e saj të lirë dhe të pavarur, ka ardhur të dorëzojë dosjet para Prokurorisë me gjithë aktivitetet e kryera nga ajo”, - tha Kola. Në këtë pikë lëvizja “Mjaft” ka dhënë dy propozime: “Ose të gjithë qytetarët që kanë mendim të lirë, që duan ta shprehim e që do ta shprehim gjithmonë, të futen në burgje të sigurisë së lartë dhe në Shqipëri të vërdallosen vetëm Edi Rama me Sali Berishën; ose ata 3 aktivistë të Vlorës të dalin dhe qytetarët të marrin një mesazh të qartë nga shteti se fjala e lirë nuk do burgoset më në burgjet e sigurisë së lartë”, - tha më tej Kola.
10 Prill 2008