E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli teknik i mjeteve, hapet gara për koncesionin

Koncesioni do t’i jepet subjektit që kryen shërbim të detyrueshëm. Kontrollin vjetor kryhet një herë në vit dhe periodiku çdo 6 muaj

Ervin Koçi

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, bazuar në Ligjin “Për koncesionet”, vendosi dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit të detyrueshëm teknik të mjeteve rrugore. Sipas MPPTT-së, koncesioni do të jetë i formës “ROT” (Rehabilitim, Operim, Transferim). Shërbimi i Kontrollit Teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove do të kryhet në të paktën 14 qendrat ekzistuese të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove në Republikën e Shqipërisë. Financimi i këtij shërbimi do të bazohet në tarifat e shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore. Kontrolli teknik i detyrueshëm i mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove përfshin: Kontrollin teknik vjetor (KTV), i cili kryhet një herë në vit, dhe kontrollin teknik periodik (KTP), që kryhet çdo 6 (gjashtë) muaj. KTV-ja është i detyrueshëm për të gjitha mjetet rrugore me motor dhe rimorkiot, ndërsa KTP-ja është i detyrueshëm për të gjitha taksistë, mjetet rrugore që përdoren nga autoshkollat për qëllime mësimore, autoambulancat, autoveturat me 8+1 vende, duke përfshirë dhe vendin e drejtuesit të mjetit, autobusët (automjetet me mbi 8+1 vende, duke përfshirë dhe vendin e drejtuesit të mjetit), mjetet rrugore që përdoren për transportin e mallrave të rrezikshme dhe rimorkiot e tyre. Dhënia me koncesion sipas specialistëve të kësaj ministrie, ka për qëllim, përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj shtetasve dhe subjekteve shtetërore e private, rritjen e sigurisë së qarkullimit në rrugë, zvogëlimin e ndotjeve në mjedis dhe modernizimin e teknologjisë së shërbimit nëpërmjet vendosjes së standardeve më të larta në kontrollin e mjeteve rrugore.

Koncesioni

Koncesioni do t’i jepet një subjekti (shoqëri tregtare vendase apo e huaj), i cili do të kryejë shërbimin e kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove në të paktën 14 qendrat ekzistuese, për një periudhë deri në 20 vjet. Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave për parakualifikim si dhe dokumenteve të tjera sipas përcaktimeve në dokumentet standarde është data 07.05.2008, ora 12.00. Të gjithë subjektet e interesuara që plotësojnë kriteret teknike për të marrë pjesë në këtë koncesion mund të dorëzojnë dokumentacionin në ministri brenda muajit prill 2008. Kreu i MPPTT-së, Olldashi, tha se "ftesa do të botohet në Buletinin e Njoftimeve Publike, si dhe në shtypin ndërkombëtar dhe vendas". MPPTT-ja, në cilësinë e Autoritetit Kontraktues, do të bëjë kualifikimin e secilit ofertues që ka paraqitur aplikimin në procedurën parakualifikuese brenda muajit maj të këtij viti dhe do ta shpallë listën e subjekteve në Buletinin e Njoftimeve Publike.

Standardet

Objektiv tjetër i MPPTT-së mbetet edhe sigurimi i një infrastrukture të besueshme për një kontroll teknik profesional, të saktë dhe të sigurt, në përputhje me Direktivat e Bashkimit Europian. Ky proces ka lidhje dhe me përafrimin e legjislacionit të shteteve anëtare të BE-së, në lidhje me përshtatshmërinë ndaj qarkullimit të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre, të ndryshuar. Në hartimin e dokumentacionit është treguar i gjithë kujdesi i duhur për përcaktimin e kritereve teknike, të cilat pritet të sjellin në këtë garë subjektet me përvojë dhe me kualifikime teknike të përafrueshme me operatorët e këtyre shërbimeve në vendet e BE-së.

10 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›