INSTAT-i, vlera e lartë e importeve ndikohet nga çmimet e bursave
Rritja e volumit të importeve të mallrave në tregun shqiptar gjatë vitit që kaloi lidhet direkt me rritjen e çmimeve të disa produkteve të kuotuara në bursat ndërkombëtare, vihet në dukje në raportin e fundit mbi tregtinë nga CEFTA. Sipas këtij raporti vërehet se në rritjen e importeve nga vendet e BE-së ndikoi rritja e çmimeve për disa prej produkteve të kuotuara në bursat ndërkombëtare, sikurse janë nënproduktet e naftës, energjia elektrike, drithërat e bukës etj. Gjatë vitit 2007, importet rezultojnë se u rritën me 25.1 për qind më shumë se në vitin 2006. Sipas INSTAT-it, rezulton se në vitin 2007, u importuan disa herë më shumë energji elektrike për shkak të thatësirës së madhe që shoqëroi pothuajse gjithë vitin. Por ky produkt u shoqërua edhe me një rritje të ndjeshme të çmimit të saj në bursat botërore, çka u reflektua edhe në vlerën prej 167.1 milionë euro, ose rreth 6 për qind të totalit të importeve. Ndër artikujt e tjerë, me ndikim të konsiderueshëm në rritjen e importeve, ishin dhe nënproduktet e naftës, të cilat arritën në vlerën 271.7 milionë euro, me një rritje prej 7.5 për qind, ose 20 për qind më shumë se në vitin 2006. Por gjithashtu, në rritjen e volumit të importeve ndikuan edhe drithërat dhe nën produktet e tyre, çmimet e të cilave gjatë vitit 2007, pësuan rritje në të gjitha tregjet botërore për shkak të zvogëlimit të sasisë së prodhimit. Efektet e një rritje të tillë në bursat botërore të drithërave ndikuan edhe në importet në Shqipëri. Kështu, gjatë vitit 2007, importet për këtë grup produktesh, që zënë peshë të konsiderueshme në ushqimin e përditshëm të popullatës, arritën në vlerën 92 milionë euro, ose 3 për qind në vlerën totale të importit dhe me rritje prej 40 për qind, krahasuar me vitin 2006.
2 Prill 2008