Tremonti: “Centrale bërthamore në Shqipëri pas fitores së Berluskonit”
“Nëse e djathta italiane, e kryesuar nga Silvio Berluskoni, do të fitojë zgjedhjet elektorale që janë më 13 prill, qeveria e re italiane synon ndërtimin e centraleve bërthamore në Shqipëri”. Këtë deklaratë e ka bërë në media Gulio Tremonti, i cili pritet të jetë ministri i ardhshëm italian i Ekonomisë, nëse koalicioni i qendrës së djathtë fiton zgjedhjet, që pritet të zhvillohen më 13 prill 2008. Sipas tij, “Italia duhet të ndërtojë centrale bërthamore në vendet fqinje që lagen nga deti Adriatik, si Shqipëria dhe Mali i Zi”. Tremonti deklaroi se vetëm në këtë mënyrë mund të plotësohen kërkesat për energji elektrike të Italisë. “Sipas informacioneve që qarkullojnë kohët e fundit, vendet që lagen nga deti Adriatik janë të hapura për ndërtimin e centraleve bërthamore, - deklaroi Tremonti në një intervistë për të përditshmen italiane “Il Sole 24”, duke shtuar se “premisat janë për sukses duke parë edhe aspektin gjeopolitik të këtyre vendeve”. Një referendum popullor i mbajtur në vitin 1987 ndaloi shfrytëzimin e energjisë bërthamore në Itali. Tremonti deklaroi se “nuk do të ishte e ndershme të thuhej se ku do të ndërtoheshin këto centrale bërthamore nga Italia, e cila ka teknologjinë dhe njohuritë e duhura në këtë fushë, megjithatë Shqipëria dhe Mali i Zi janë një mundësi”. Ai ka shtuar gjatë intervistës për të përditshmen italiane se, “nëpërmjet sipërmarrjeve të përbashkëta, koha për ndërtimin e tyre do të shkurtohej”. Në Itali zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme më 13 dhe 14 prill 2008, ndërkohë që koalicioni i qendrës së djathtë, i kryesuar nga Silvio Berluskoni, ku bën pjesë edhe Gulio Tremonti, pritet të dalë fitues.
2 Prill 2008