USAID-i, ndihmë shqiptarëve të shpërngulur nga shpërthimet aksidentale
Tiranë - Populli amerikan edhe kësaj radhe do të jetë pranë popullit shqiptar në kapërcimin e situatës së krijuar pas tragjedisë së Gërdecit. Sipas një njoftimi për shtyp të Ambasadës Amerikane në Tiranë thuhet se populli mik, përmes USAID-it, ofroi 50 mijë dollarë për të përmbushur nevojat e menjëhershme të shqiptarëve të prekur nga shpërthimi aksidental i municioneve në një godinë ushtarake pranë kryeqytetit të vendit, Tiranë.
Ndihma
“Kjo ndihmë i është dhënë Kryqit të Kuq Shqiptar (KKSH) përmes Fondit për Emergjenca të Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Shoqërive të Gjysmëhënës së Kuqe. Fondet e USAID-it do të përdoren nga KKSH për të mbuluar kostot administrative, transportin, magazinimin dhe shpërndarjen e pakove në zonat e prekura prej shpërthimit. Kjo asistencë do të ofrohet për një periudhë tremujore”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Përfaqësisë Diplomatike të SHBA-ve në Tiranë. Çdo pako familjare ka në përbërjen e saj: 5 batanije, 2 pako të higjienës personale, 2 mbulesa plastmasi, 8 pako sapun, 2 kg detergjent larës, 1 set enë kuzhine, si dhe b) 20 kg miell, 3 kg oriz, 3 kg sheqer, 3 litër vaj vegjetal, 5 kg fasule të bardha. Kjo ndihmë pason asistenca e tjera të ofruara nga qeveria e SHBA-ve përmes USAID-it, të cilat u ofruan për blerjen e pajisjeve mjekësore të nevojshme në urgjencë dhënë qendrës së trajtimit të traumës në Spitalin Ushtarak, disa orë pas shpërthimit.
Asistenca e KKSH-së
Më 1 prill 2008, Kryqi i Kuq Shqiptar shpërndau ndihma për 130 familje në fshatin Marqinet 2, të dëmtuara nga shpërthimi aksidental i municioneve. KKSH-ja, në bashkëpunim me donatorë brenda dhe jashtë vendit, ka ndërmarrë një operacion ndihme tremujore për 3200 përfitues nga kjo zonë. Që prej fillimit të kësaj emergjence e deri sot janë ndihmuar 552 familje me 2585 persona nga fshatrat Gërdec, Marqinet 1 dhe Marqinet 2. Shpërndarja është bërë në koordinim me Bashkinë Vorë si dhe me kryepleqtë e fshatrave. Së bashku me përfaqësues të pushtetit vendor, KKSH-ja ka hartuar listat, ka njoftuar familjet dhe në prani të përfaqësuesve të bashkisë dhe të kryepleqësisë së fshatrave, ka bërë shpërndarjen e pakove.
Sasia e artikujve të shpërndarë
Artikuj ushqimorë Artikuj joushqimorë
Vaj 2,196 litra Batanije 2,585 copë
Sheqer 2,196 kg Detergjent 1,104 kg
Oriz 2,196 kg Pako të higjienës personale 1,104 copë
Fasule 2,196 kg Enë kuzhine 552 copë
Sapun 4,416 copë
2 Prill 2008