E Diel, 1 Nëntor 2026

Financat negociata me Bankën Japoneze për kanalizimet



Në Ministrinë e Financave u zhvillua dje nja raund negociatash me Bankën Japoneze për Zhvillim Ndërkombëtar, për arritjen e një marrëveshjeje financimi të projektit të kanalizimeve të Tiranës së madhe. Projekti do të përfundojnë me ndërtimin e një impianti për pastrimin e ujërave të zeza të Tiranës dhe rrethinave të saj. Në takim morën pjesë zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, zëvendësministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Stavri Ristani dhe përfaqësues të Bankës Japoneze. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, u shpreh se “negociatat janë drejt përfundimit dhe pritet të arrihet marrëveshja për financimin e projektit që kushton mbi 100 milionë dollarë”. Sipas Shehut, "termat e kredisë janë tepër të favorshme, ku kjo kredi e butë është me 0.6 për qind interes, për 40 vjet dhe me 10 vjet periudhë mosshlyerje". Sipas tij, marrëveshja do të nënshkruhet së shpejti për të bërë të mundur fillimin e zbatimit të projektit brenda 3-4 muajve të ardhshëm. Zëvendësministri Shehu tha se me përfundimin e projektit, objekti do t’i transferohet Bashkisë së Tiranës në kuadër të decentralizimit

USAID-i, ndihma për të prekurit e Gërdecit

Populli amerikan, nëpërmjet USAID-it, ka ofruar një shumë prej 50 mijë dollarësh në përmbushje të nevojave të shqiptarëve të prekur nga shpërthimet në Gërdec. Ndihma i është dhënë Kryqit të Kuq Shqiptar për të realizuar më pas dhe shpërndarjen. Nga kjo zonë do të jenë 3200 përfitues, ndërkohë që shpërndarja do të kryhet pranë kampit të Forcave të Armatosura. Sipas USAID-it, mësohet se kjo asistencë do të ofrohet për një periudhë tremujore. Çdo pako familjare ka në përbërjen e saj 5 batanije, 2 pako të higjienës personale, 2 mbulesa plastmasi, 8 pako sapun, 2 kg detergjent larës, 1 set enë kuzhine, si dhe 20 kg miell, 3 kg oriz, 3 kg sheqer, 3 litër vaj vegjetal, 5 kg fasule të bardha. Ndihma pason asistencat e tjera të ofruara nga Qeveria e SHBA-së përmes USAID-it, të cilat u ofruan për blerjen e pajisjeve mjekësore të nevojshme në urgjencë dhënë Qendrës së Trajtimit të Traumës në Spitalin Ushtarak disa orë pas shpërthimit. Që prej fillimit të kësaj emergjence e deri sot janë ndihmuar 552 familje me 2,585 persona nga fshatrat Gërdec, Marqinet 1 dhe Marqinet 2.

FMN-ja 4 milionë USD ndihma për Shqipërinë

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi në datën 28 mars 2008 rishikimin e katërt të performancës ekonomike dhe garancive financiare të Shqipërisë, në kuadrin e marrëveshjes trevjeçare "Fondi i Reduktimit të Varfërisë dhe Rritjes Ekonomike" (PRGF) dhe marrëveshjes së "Fondit të Përgjithshëm" (EFF). Sipas burimeve zyrtare të FMN-së, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm dhe kryetar i radhës i FMN-së, Murilo Portugal, tha se “përmbushja nga ana e Shqipërisë e politikave të matura makroekonomike dhe strukturore, ka ndikuar ndjeshëm në ecurinë makroekonomike, pavarësisht sfidave të një mjedisi të jashtëm të vështirë”. Sipas tij, "në vitin 2007, rritja ekonomike u përmirësua dhe inflacioni mbeti në intervalin e synuar, me gjithë thatësirën dhe çmimet në rritje për produktet ushqimore dhe energjinë. Axhenda strukturore ka bërë përparime, sidomos në fushën fiskale, ndërsa programi i privatizimit është në prag të përfundimit. Megjithatë, probleme të thella në sektorin e energjisë dolën përsëri në krye”.

2 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›