E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, në hetimin ekspertë ushtarakë amerikanë e francezë

Katër amerikanë dhe një francez grumbullojnë prova në krater. Kreu i organit të Akuzës ka caktuar grupin hetimor të tragjedisë

Luan Kondi

Tiranë – Katër ushtarakë amerikanë dhe një francez kanë mbërritur në Tiranë për të këqyrur vendin e ngjarjes së 15 marsit, ku humbën jetën nga shpërthimi i municioneve 25 veta dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Burimet thanë se edhe pse nuk kanë ardhur ende ekspertët e FBI-së për të hetuar tragjedinë e Gërdecit, një grup tjetër ekspertësh të Komandës Ushtarake të SHBA-ve në Europë kanë mbërritur në kraterin e shpërthimit. Të veshur me jelekë mbrojtës dhe skafandra ata do të mbledhin kampione në gropat e hapura nga shpërthimi. Përveç provave të ngjarjes ata po marrin edhe kampione të ujit si dhe pjesë të dheut për t’ia bashkëngjitur këto prova hetimit që po kryhet nga pala shqiptare. Sipas burimeve, këta specialistë të lëndëve plasëse janë pjesë e strukturave të EUCOM, strukturë kjo në varësi të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes. Hetimi i tyre synon verifikimin e pranisë ose jo të lëndëve radioaktive në atë shpërthim gjigant. Po kështu, në kërkim vazhdojnë të jenë edhe forcat shqiptare të EODI-së, me synim gjetjen e trupit të së humburës Shqipe Alhasa, punëtore e fabrikës së demontimit të municioneve luftarake. Po kështu, prokurorja e Përgjithshme ka caktuar dje edhe grupin e hetimit të çështjes.
Prokurorët
Kreu i organit të Akuzës ka caktuar prokurorët që do të hetojnë tragjedinë e Gërdecit. Pas kalimit të dosjes nga grupi i hetimit të Prokurorisë së Tiranës në Prokurorinë e Përgjithshme, organi i Akuzës ka përcaktuar tashmë edhe grupin e prokurorëve që do të merren me hetimin në vijimësi të kësaj çështjeje. Në një njoftim për shtyp Prokuroria e Përgjithshme bën të ditur se në përbërje të grupit nga Prokuroria e Përgjithshme janë prokurorët Kujtim Luli, Arqile Koca, si dhe Alfred Progonati. Ndërkohë, të komanduar nga Prokuroria e Tiranës janë prokurorët Arben Dollapi dhe Sokol Stojani. Po kështu, në përbërje të grupit të hetimit do të jenë edhe oficerë të seksioneve të Policisë Gjyqësore pranë prokurorisë dhe oficerë të Ministrisë së Brendshme, Arjan Muça, drejtor i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Ministrinë e Rendit, Ardian Çipa, shef i Sektorit të Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Perlat Vatoci, oficer i Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Bledar Çeliku, oficer i Sektorit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Në këtë grup hetimi do të japin edhe ndihmën e tyre Tefik Sulejmani, oficer i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Qarkut Tiranë, Ermal Milori, oficer i Policisë Gjyqësore, seksioni i Prokurorisë Tiranë, Arjan Mucaj, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krimeve të Rënda, Ibrahim Hoxha, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda, Arben Frashëri, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda, Hamza Plaka, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda.
Kryetari
Në krye të grupit hetimor është prokuror Zamir Shtylla, drejtor i Drejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale. Grupi i hetimit në fillim do të shqyrtojë dosjen dhe nuk ka ende një vendimmarrje për ndarjen e dosjes, që përmban hetimet mbi ngjarjen e Gërdecit.
Konkretisht po punohet në të gjitha pistat e hetimit të deklaruara më parë nga organi i Akuzës. Grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës, i cili u mor me çështjen e Gërdecit, vendosi të shtunën që të shpallë moskompetencën e Prokurorisë së Tiranës për vazhdimin e hetimit të kësaj çështjeje dhe ia kaloi aktet si instanca kompetente Prokurorisë së Përgjithshme. Në këtë konkluzion u arrit për shkak se prej të dhënave të përfituara nga hetimi i deritanishëm grupi hetimor arriti në përfundimin dhe ka dyshime në kuadër të kësaj çështjeje, se ka elemente, sipas së cilave ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, mund të ketë konsumuar veprën e shpërdorimit të detyrës. Duke qenë se hetimi i personave që gëzojnë imunitet është në kompetencë të Prokurorisë së Përgjithshme, dosja i kaloi për shqyrtim kësaj prokurorie.
Pas kalimit të dosjes ku po hetohet ngjarja e Gërdecit nga grupi i hetimit të Prokurorisë së Tiranës në Prokurorinë e Përgjithshme, organi i Akuzës, ky institucion kompetent, ka përcaktuar tashmë edhe grupin e prokurorëve që do të merren me hetimin në vijimësi të kësaj çështjeje.

Box
Në përbërje të grupit hetimor

Zamir Shtylla
Drejtor i Drejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale do të kryesojë grupin hetimor

Nga Prokuroria e Përgjithshme
Kujtim Luli
Arqile Koca
Alfred Progonati

Të komanduar nga Prokuroria e Tiranës
Arben Dollapi
Sokol Stojani

Oficerë të Policisë Gjyqësore dhe të Ministrisë së Brendshme

1. Arjan Muça, drejtor i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Ministrinë e Rendit

2. Ardian Çipa, shef i Sektorit të Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë

3. Perlat Vatoci, oficer i Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë

4. Bledar Çeliku, oficer i Sektorit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë

5. Tefik Sulejmani, oficer i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Qarkut Tiranë

6. Ermal Milori, oficer i Policisë Gjyqësore, seksioni i Prokurorisë Tiranë

7. Arjan Muçaj, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda

8. Ibrahim Hoxha, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda.

9. Arben Frashëri, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda

10. Hamza Plaka, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda

2 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›