E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedurat tatimore, biznesi kundër parapagimit të gjobave

Kundërshtimi vjen për parapagimin në masën 15 për qind. Projektligji ndryshon edhe Policinë Tatimore me Gjyqësore

Ervin Koçi

Shoqatat e biznesit kanë kundërshtuar sërish projektligjin e qeverisë “Për procedurat tatimore”, duke e konsideruar atë arbitrar dhe pengues për sipërmarrjen private. Gjatë seancës dëgjimore dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku drafti ka nisur të diskutohet, përfaqësuesit e biznesit kanë vlerësuar si “shumë problematike”, kufizimin e të drejtës së apelimit. Po ashtu problematik është konsideruar nga përfaqësuesit e biznesit edhe vendimi për parapagimin e gjobave në masën 15 për qind.
Projekti i qeverisë parashikon që bizneset të apelojnë gjobat pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që është edhe organi që i ka vënë ato, ndërkohë që deri tani sipërmarrja private ka ankimuar edhe në një shkallë të dytë që ka qenë komisioni i apelimit, në përbërje të së cilit ka pasur përfaqësues të biznesit, një strukturë kjo që në draftin e ri është shkrirë. Projektligji i ri është konsideruar “abuzues” edhe nga opozita. Përfaqësuesit e të majtës kanë deklaruar se, “do ta kundërshtojnë draftin dhe do të mbështesin biznesin në argumentet e tij”.

Projektligji

Sipas projektligjit, biznesi do të vazhdojë të parapaguajë gjobat në masën 15 për qind, ndërkohë që më pas mund ta apelojë vendimin e tatimorëve në gjykatë. Sipas ekspertëve të Financave, parapagimi i gjobës prej 15 përqindësh është i domosdoshëm në kushtet e ndërhyrjes kategorike të gjykatës, tek e cila ngelin një masë e akteve administrative. Sipas tyre, “apelimi në gjykatë i kushton mjaft administratës tatimore, pasi këtu prej vitesh kanë ngrirë një pjesë e mirë e apelimeve”. Ekspertë të Financave thanë edhe se, “ka mjaft vendime dhe akte administrative që merren nga institucione të larta, si Autoriteti i Konkurrencës apo Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të cilat nuk kanë marrë asnjë zbatim konkret, sepse kanë mbetur sërish te gjykata dhe hallkat e saj”. Në bazë të projektligjit, apelimi i biznesit do të bëhet nga tatimorët. Projektligji u iniciua nisur nga nevoja e madhe për të ndryshuar ligjin "Për procedurat tatimore", i bërë rreth 10 vite më parë dhe që nuk reflekton ndryshimet e pësuara gjatë kësaj periudhe, si në mjedisin ekonomik, ligjor në Shqipëri, ashtu edhe në standardet e miratuara nga një sërë institucionesh ndërkombëtare, me të cilët Shqipëria ka marrëveshje.

Biznesi

Gjatë seancës së djeshme dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë, përfaqësuesit e biznesit ngritën edhe një tjetër problem për projektligjin "Për procedurat tatimore". Ata kundërshtuan zëvendësimin e Policisë Tatimore me një organ alternativ siç është Policia Gjyqësore, e cila do të përfaqësojë një organ investigativ në administratën tatimore. Ministri Bode, gjatë prezantimit të projektligjit në Kuvend pak ditë më parë, u shpreh se, "projektligji synon përmirësime në administrimin e detyrimeve tatimore, si dhe rregullon parimet e organizimit dhe të funksionimit të administratës tatimore". Sipas tij, nevoja e një ligji të ri për proçedurat tatimore erdhi pasi të metat dhe mangësitë e ligjit aktual për procedurat tatimore, inkurajojnë lulëzimin e ekonomisë informale, e cila bazohet te transaksioni në "cash". Projektligji përmban katër parime, adoptimin e praktikave më të mira ndërkombëtare dhe të BE-së, mbrojtjen e të drejtave të tatimpaguesve, përdorimin e metodave moderne të administratës tatimore dhe minimizimin e konflikteve tatimore dhe harmonizimin e sanksioneve tatimore. Gjatë mbledhjeve të ardhshme të komisionit, drafti do të kalojë në shqyrtimin nen për nen, ku paralelisht me variantin e qeverisë do të diskutohet edhe për propozimet e biznesit dhe opozitës.

2 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›