E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Çmimet po ulen, qytetarët ankohen përsëri

Niveli i përgjithshëm i çmimeve në treg gjatë majit ka shënuar një ulje të lehtë krahasuar me një muaj më parë. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare nga Instituti i Statistikave, inflacioni vjetor për muajin e kaluar arriti në 4.2 për qind, nga 4.4 për qind që ishte në muajin prill. Në treg është vënë re ulje e çmimeve për disa produkte, kryesisht ushqimore. Sipas INSTAT-it uljen më të madhe të çmimeve në treg për majin e kanë pasur disa artikuj ushqimorë. Indeksi i grupit "Ushqime dhe pije joalkoolike" ka shënuar një ulje prej 2.7 përqindësh. Por ka pasur edhe disa produkte të tjera ushqimore çmimi i të cilave ka vijuar të rritet. Kështu çmimi i bukës dhe drithërave është rritur me 1.2 për qind, peshkut 0.1 për qind, mishit 0.1 për qind, frutave 0.1 për qind etj. Por disa ekspertë kanë dyshime nëse norma aktuale e inflacionit paraqet rritjen reale të çmimeve në treg për shkak të ndryshimit të shportës në fillim të këtij viti. Këto dyshime u konfirmuan në një farë mënyre nga Banka e Shqipërisë, e cila në një raport të fundit thotë se nëse inflacioni do të ishte matur me shportën e mëparshme, norma e tij do të ishte më e madhe se sa kjo që është aktualisht. "Mesatarja e ndryshimit ndërmjet matjeve për periudhën 2004-2007 është rreth 0.5 pikë përqindjeje, gjë që tregon se prezantimi i shportës së re e ka ulur inflacionin e kaluar mesatarisht me 0.5 pikë përqindjeje", thotë Banka e Shqipërisë. Kjo do të thotë se rritja e çmimeve që raportohet aktualisht është 0.5 pikë përqindje më e ulet nga sa ishte me shportën e parë.

Çmime të larta

Por pavarësisht tendencës në rënie, krahasuar me një vit më parë, qytetarët po paguajnë çmime dukshëm më të larta. Sipas INSTAT-it, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, inflacioni është tre herë më i lartë. Në maj të vitit të kaluar niveli i inflacionit në vend ishte vetëm 1.4 për qind. Specialistët thonë se as futja masive e prodhimit vendas nuk ka mundur ta rikthejë atë në nivelet e vitit të kaluar dhe brenda kufijve të synuar të Bankës së Shqipërisë. Në fakt, parashikimet janë që niveli i çmimeve në treg të mbetet në këto kufij përgjatë gjithë vitit 2009. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, norma prej 4.2 përqindësh do të jetë dhe mesatarja e inflacionit në Shqipëri gjatë këtij viti.

Energjia

Edhe çmimet e energjisë vazhdojnë tendencën e pandalshme rritëse. Sipas INSTAT-it, gjatë muajit maj, çmimi i naftës shënoi një rritje prej 6.1 përqindësh, ndërsa ai i benzinës u rrit me 4.3 për qind. Kjo ka bërë që shërbimet e transportit ndërurban për qytetarët të shtrenjtohen më tej, duke u rritur gjatë këtij muaji me 2.3 për qind. Çmimet e karburanteve janë kthyer tashmë në një shqetësim për të gjithë ekspertët e ekonomisë. Shqipëria është një vend, që importon pjesën më të madhe të nevojave të saj për karburante, duke qenë e ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve në tregjet botërore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›