E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten kostot e prodhimit

Kur çmimet në treg u duk se po shkonin drejt stabilizimit, një tjetër tregues i publikuar nga Instituti i Statistikave paralajmëron për rritje të tjera në të ardhmen. Indeksi i çmimeve në prodhim, treguesi më i afërt i kostos në prodhim, ka shënuar një rritje të fortë gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara dje nga INSTAT-i, çmimet në prodhim u rritën mesatarisht me 3.3 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pra me tremujorin e parë të vitit 2007, indeksi i çmimeve në prodhim është rritur me 7.4 për qind, rritja më e fortë e këtyre viteve të fundit. Indeksi i çmimeve në prodhim është dhe hallka e parë e çmimit të një malli. Ai llogaritet duke mbledhur koston e tij me fitimin e prodhuesit dhe për këtë konsiderohet si dhe treguesi më i afërt i kostos së një produkti. E thënë ndryshe, kostoja e prodhimit për bizneset po rritet me ritme të larta, çka paralajmëron për rritje të tjera të çmimeve në treg.

Rritja sipas sektorëve

Rritjen më të fortë të kostove, sipas Institutit të Statistikave e kanë produktet ushqimore dhe veshjet. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në degën industri përpunuese shënoi rritje me 1.3 për qind. Më konkretisht, brenda kësaj industrie rritjen më të fortë të çmimeve në prodhim e kanë pasur industria ushqimore me 3.8 për qind, dhe industria e tekstileve dhe veshjeve me 4.5 për qind. Në aktivitetet e tjera ndryshimet variojnë nga -3 në +4 për qind.

Energjia

Rritja e fortë e kostove në prodhim gjatë tremujorit të parë të këtij viti përkon me rritjen e çmimit të energjisë, në muajin shkurt. Por biznesi po prodhon me kosto më të lartë edhe për një sërë arsyesh të tjera, ku ndër më kryesoret mbetet rritja e fortë e çmimeve thuajse për të gjitha lëndët e para, si nafta, drithërat etj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›