E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisin kufizimet e energjisë elektrike në Shkodër

Ndryshe nga sa u premtua se pas reshjeve të bollshme muajt e fundit nuk do të ketë kufizime të energjisë elektrike, në Shkodër ka nisur të tingëllojë fort zhurma e gjeneratorëve. Prej disa ditësh qyteti verior përballet me kufizime aspak të zakonta për këtë stinë. Mungesa e energjisë elektrike në zona të ndryshme është në përmasa të ndryshme. Kështu ka zona ku energjia elektrike mungon deri në tri orë gjatë paradites, ndërsa në zona të tjera ka më pak apo nuk ka fare kufizime. Situata akoma më shqetësuese është në fshatra e në zonat e thella malore ku kufizimet arrijnë deri në pesë orë. Nga drejtuesit lokalë të KESH-it nuk është bërë asnjë njoftim për kufizimet dhe ende nuk jepet asnjë sqarim për to. Për disa zona burime nga KESH pohojnë jozyrtarisht se po bëhen remonte, por fakti që kufizimet kanë më shumë se një muaj dhe bëhen në orare fikse tregon se më shumë se sa me remonte kemi të bëjmë me kufizime për të kursyer energji. Një arsye tjetër që mund të jetë bërë shkak për këto kufizime është dhe fakti që Shqipëria po mban me energji elektrike shtetin e Kosovës. Aktualisht, Shkodra është një ndër qytetet me nivelin më të lartë të arkëtimeve të energjisë elektrike që arrin deri në masën 80 për qind. Nga një zonë problematike për mospagim të energjisë elektrike, Shkodra është kthyer në një zonë shembull për këto pagesa, por edhe tani që paguajnë shkodranët nuk po shpëtojnë nga errësira.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›