Ministri austriak, Spindelegger: “Austria do të mbështesë procesin integrues të Shqipërisë”
Ministri i Jashtëm i Austrisë, Spindelegger, ka zhvilluar dje takime me krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Ai ka takuat Presidentin e Republikës, Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në takim me presidentin Topi ministri austriak ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e Austrisë për të vazhduar mbështetjen e fuqishme në drejtim të përmbushjes së aspiratave integruese te Shqipërisë në Bashkimin Europian. Shpindelegger, pasi vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, theksoi se qëndrueshmëria politike dhe ekonomike e secilit prej vendeve të Ballkanit është e rëndësishme jo vetëm në planin e brendshëm, por edhe në atë rajonal e më gjerë, sepse e ardhmja e të gjithë rajonit ballkanik do të jetë pa asnjë mëdyshje integrimi europian. Edhe në takim me Kryeministrin Berisha Ministri Spindelegger vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe lidhjet e ngushta midis dy vendeve, duke nënvizuar se Austria do të vazhdojë të mbështesë dhe përkrahë Shqipërinë në të gjitha fushat. Duke i shprehur urimet më të përzemërta Kryeministrit Berisha për rizgjedhjen e tij si Kryeministër i Shqipërisë, ministri Spindelegger e garantoi kryeministrin Berisha se Austria do ta mbështesë Shqipërinë në hapat e mëtejshëm të saj për anëtarësimin në Bashkimin Europian si përsa i përket shqyrtimit të aplikimit për anëtarësinë dhe statusin e kandidatit, ashtu edhe përsa i përket liberalizmit të vizave. Në takim u diskutuan gjithashtu për reformat dhe arritjet e qeverisë në shumë fusha dhe angazhimi i dy qeverive për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dypalësh, në veçanti në fushën ekonomike dhe tërheqjen e investitorëve austriakë në Shqipëri. Ndërsa në bisedë me Topallin, ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë tha se Austria do të bëjë më të mirën në mbështetje të kësaj ambicies së Shqipërisë për integrimin europain, ndërsa tha se është e rëndësishme prania e të gjitha forcave politike në Kuvend. “Ju po bëni shumë në këtë drejtim”, - tha ai, duke shtuar se për Shqipërinë prania e të gjitha forcave politike në Parlament është shumë e rëndësishme. Ministri austriak ka takuar edhe kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, me të cilin kanë biseduar për qëndrimin e opozitës ndaj zgjedhjeve. Ministria austriak ka marrë informacion nga lideri i PS-së.
Qeveria, fond prej 30 milionë lekësh për arkivin e Kuvendit
Gjatë mbledhjes së djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi një fond prej 30 milionë lekësh të rinj për rikonstruktimin e arkivit së Kuvendit të Shqipërisë. “Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës, të Nenit 75, të Ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006, ‘Për prokurimin publik’, të ndryshuar, dhe të Nenit 9, të Ligjit Nr. 10 025, datë 27.11.2008, ‘Për buxhetin e vitit 2009’, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi: Lejimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që, brenda datës 30 nëntor 2009, të kryejë procedurën e prokurimit, me objekt ‘Rikonstruksioni i arkivit’.
Fondi limit për rikonstruksionin e arkivit, prej 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2009, zëri ‘Shpenzime kapitale’, miratuar për Kuvendin”, - shkruhet në vendimin e qeverisë.
9 Tetor 2009