E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati listat me pronarët që do të përfitojnë nga legalizimet

Autori i Lajmit: red.
Listat e para me pronarët, të cilët do të përfitojnë nga paratë që do të paguajnë të legalizuarit janë bërë gati. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Postës Shqiptare. Kjo e fundit, bazuar në vendimin e qeverisë, do të mbulojë shërbimin e pagesës së taksave të legalizimeve të ndërtimeve pa leje. Sipas të njëjtave burime, qytetarët kanë nisur të paguajnë taksën prej 4 mijë lekësh, të cilat kërkohen si detyrim në ligjin e ri të ALUIZNI-it. Numërohen rreth 100 mijë pasuri në të cilat ka përfunduar e gjithë procedura dhe mbetet vetëm hapi i lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë dhe kompensimit. “Bazuar në vendimin e qeverisë shqiptare, i cili ngarkon Postën Shqiptare që të mbulojë kryerjen e shërbimeve financiare atje ku nuk ka sektor bankar, ka bërë që qytetarët të paguajnë në zyrat postare taksat duke nisur nga taksa e shërbimit dhe më pas me të gjithë detyrimet që kanë deri në legalizimin e ndërtimit pa leje dhe për rrjedhojë marrje së tapisë në hipotekë. Kudondodhja e zyrave postare dhe shtrirja gjeografike është një faktor kyç, i cili ka kontribuar për thithjen e këtij shërbimi të ri. Atje ku nuk ka një prefekturë ku nuk ka një ambulancë, komunë apo institucione të tjera, ekziston një zyrë postare, e cila i gjendet pranë çdo qytetari në zonat më të thella rurale për të kryer veprime postare dhe financiare, dhe tani për të kryer shërbimin më të ri atë të pagesës së taksave të ndërtimeve pa leje të përcaktuara nga ALUIZNI”, - bëjnë të ditur burime zyrtare nga Posta Shqiptare. Ndërkohë pohohet se janë bërë gati edhe listat e para me pronarët, të cilët do të përfitojnë nga paratë që do të paguajnë të legalizuarit. Numri i madh i zyrave postare të shtrira në çdo skaj të Shqipërisë si rrjedhojë edhe gjeografia e ngritjes së ndërtimeve pa leje janë një ndihmë e madhe për pagesën e taksave për qindra mijëra ndërtimet pa leje. Po t i drejtohej tregut, qytetari do të paguante deri në 100 mijë lekë të vjetra, për të përdorur të gjithë dokumentacionin tekniko-ligjor, ndërkohë që pagesa në postë është një lehtësi tjetër, duke qenë një pagesë minimale prej 4 mijë lekësh. Aktualisht, janë rreth 100 mijë pasuri në të cilat ka përfunduar e gjithë procedura dhe mbetet vetëm hapi i lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë dhe kompensimit. Të gjithë qytetarët që janë pajisur me formularë nga ALUIZNI kanë nisur të bëjnë pagesën në të 550 zyrat postare të shpërndara në të gjithë Shqipërinë.

Ky lajm është publikuar: 29/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›