E Shtunë, 31 Tetor 2026

INTERVISTA/ Arben Malaj: Aleanca PS- LSI është e mundshme

Share

Arben Malaj, deputet i PS-së, analizon disa nga çështjet e rëndësishme politike në vend: Si duhet të jetë Presidenti i ri dhe pse Nano mund të jetë i tillë? Sipas tij, aleanca me LSI është e mundshme

Nga Renato Kalemi

Revista Klan

Arben Malaj është i sigurt: Në politikën shqiptare duhet të marrë fund kultura e të bërit politikë me qejfmbetje personale, me grindje dhe ngërçe. Prandaj, takimin mes kreut socialist, Edi Rama dhe atij të LSI-së, Ilir Meta, e sheh aspak i çuditur, porse politikanët, edhe të spektrave të ndryshëm politik, duhet të takohen publikisht, duhet të flasin për sfidat e vendit të tyre dhe duhet të synojnë ta bindin kundërshtarin duke i bërë të qarta argumentet, provat dhe avantazhet e tyre. Në këtë intervistë për Klan, Malaj jep këndvështrimin e tij edhe se si duhet të jetë figura e Presidentit të ri, mbështetjen për kandidimin e Nanos dhe programin politik e ekonomik që ofron PS-ja.

- Z. Malaj, çështja e Presidentit po hyn në ditët më të nxehta të debatit politik. Ju jeni shprehur se proceset përzgjedhëse nuk mund të garantojnë një President të pavarur dhe të balancuar. Ç’doni të thoni me këtë? Si duhet të jetë Presidenti i ri?

Vendit i duhet një President i cili, me profilin publik, kontributet politike dhe angazhimet në momente të rëndësishme, të ketë fituar vlerësimin dhe mbështetjen publike. Mandati i Presidentit të vendit duhet fituar dhe jo pritur si dhuratë kompromisesh konsensuale. Presidenti i ri do të duhet të reduktojë problematikën e mprehtë të balancës së pa balancuar apo të keq balancuar, të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve. Duhet një President i cili, të lehtësojë bashkëpunimin midis partive politike dhe midis institucioneve kushtetuese. Presidenti i ri duhet të nxisë dhe mbështesë bashkëpunimin midis partive politike dhe faktorëve influencues të vendit, për sfidat e ekonomisë dhe për sfidën e integrimit.

- Në vazhdën e këtyre diskutimeve, ju jeni shprehur pro kandidaturës së z.Nano për President. Mendoni se PS-ja duhet ta mbështesë atë në këtë kandidim? A është Fatos Nano Presidenti që i duhet Shqipërisë?

Nano ka shprehur ambicien për të qenë kandidat për President konsensual, duke hapur dhe nxitur diskutimet/debatet për këtë proces të rëndësishëm në jetën politike të vendit. Nano e ka hapur procesin, i cili po tentohet të bëhet i mbyllur deri në minutën e fundit të afatit të fundit kushtetues për të filluar votimin?! Ka shumë vende që Presidentin e zgjedhin drejtpërdrejt nga populli, duke e bërë sa më legjitim kandidatin e zgjedhur, duke i dhënë atij autoritetin e nevojshëm për të përmbushur misionin kushtetues. Në SHBA, kandidatët bëjnë garë gati njëvjeçare brenda partive të tyre politike, në Francë gara brenda socialistëve i bashkoi ata më shumë se çdo kompromis spontan. Nano, me karrierën e tij politike, me vizionin e tij për sfidat e vendit, me kontributet dhe kulturën e tij politike në modernizmin dhe drejtimin e një prej partive politike më të mëdha të tranzicionit shqiptar, sjell avantazhe reale.

- A do të thonim se ky kandidim i z. Nano është mundësia e tij e fundit për të qenë pjesë e politikës aktive?

Nuk besoj se Nano po i takon krerët e partive politike dhe po komunikon drejtpërdrejt me opinion publik sepse kjo është mundësia e fundit për të kontribuar në politikë. Posti i Presidentit të vendit nuk duhet konsideruar për asnjë si stacioni komod për pushimin e fundit përpara përfundimit të angazhimeve politike. Rasti i Presidentit Napolitano, rasti i Presidentit Papulias, përkushtimi i tyre përballë sfidave jetike të vendeve të tyre në krizë, historia impresionuese e shumë presidentëve të tjerë, tregon se në asnjë rast dhe në asnjë kufi moshe mandati i presidentit nuk duhet të jetë vend për komoditet personal.

- Është folur shumë këto ditë mbi takimin Rama-Meta, në shtëpinë e këtij të fundit. Si e shihni këtë lëvizje të z.Rama? A kishte ardhur koha për një takim mes tyre?

Duhet të marrë fund kultura politike e të bërit politikë me qejfmbetje personale, me grindje dhe ngërçe politike. Çudia nga këto takime vjen sepse ende në politikën tonë takimet që duhet të jenë diçka normale dhe thelbi i mundësisë për të bërë politikë për vendin tënd, janë shumë të rralla, ndërsa akuzat, grindjet dhe qëndrimet kategorike kanë qenë dominuese. Politikanët, edhe të spektrave të ndryshëm politikë, duhet të takohen publikisht, duhet të flasin për sfidat e vendit të tyre dhe duhet të synojnë ta bindin kundërshtarin duke i bërë të qarta argumentet, provat dhe avantazhet e tyre. Mund të ketë jo pak raste kur ata mund të jenë dakord që nuk janë dakord për qëndrimet reciproke, por kjo sërish e rrit mundësinë për takime të tjera, nga të cilat mund të ketë efikasitet shumë më tepër se çdo konspiracion i një nate të veçantë, në një vend të veçantë.

- Por, duket se ka një zbutje mbi marrëdhëniet PS-LSI. Figura të caktuara të PS, mes tyre edhe z. Ruçi, janë shprehur së për të rrëzuar Berishën mund të bëhet aleancë me LSI. E shihni të mundshme dhe të nevojshme këtë?

E shikoj të mundshme sepse edhe mazhoranca Berisha, në thelb, është mazhorancë numerike dhe jo mirëqeverisëse. Është mazhorancë që sa herë ndjen rrezik votash shet poste politike dhe administrative, thjesht për të mbijetuar.

A e shikoj të nevojshme? Këtu përgjegjësia e përgjigjes më detyron të jem më konkret në detajimin e argumentave. E nevojshme – duhet parë në raport me produktin politik që do të krijojë. Në qoftë se ndodh pikërisht tani, a do ta ndihmonte marrjen e statusit të vendit kandidat apo do të krijonte një krizë që na ngel në klasë për herë të tretë? Do të jetë një mazhorancë e re me një kalendar konkret reformash politike dhe qeverisëse apo thjesht një krushqi e re me të njëjtat huqe qeverisëse? Do të mbijetojë duke arritur rezultate apo duke rishitur mandate politike dhe poste në administratën publike, që kënaqin nga pak të gjithë? Do ta bëjë më militante apo më profesionale administratën tonë? Do ta përmirësonte jetën e shqiptarëve apo do të krijonte ciklin e krizave permanente? Vendi im nuk duhet ti ngjajë modelit politik grek, që prodhon dhe riprodhon kriza pa fitues, kriza që nuk krijojnë shumica qeverisëse për të bërë reforma, kriza ku dështimi i partive të mëdha nga zhgënjimet e mëdha, favorizon ekstremet në politikë. Koalicionet e përgjegjësive të mëdha nuk arrihen nën kënaqësinë e errësirës, por në përgjegjësinë e transparencës në mes të ditës. Hiperbolizimi i magjisë politike të numrave zhduket po aq shpejt sa edhe krijohet. Parimet e ndërtimit të aleancave mund të krijojnë një frymë të re politike dhe një inspirim të ri publik, që i rrit numrat e fitoreve në garat elektorale, ndërsa shumicat numerike të marrëveshjeve individuale në vetvete krijojnë antifrymë, por jo frymë. Në shumë raste, shumicat numerike që nuk dalin nga p

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›