E Diel, 1 Nëntor 2026

INTERVISTA/ Ardian Hoxha: Historia ime 16-vjeçare në kërkim të varrit të babait

Share

Ardiani me familjen

Zoti Hoxha, prej më shumë se 16 vjetësh ju kërkoni të zbardhni arsyet e zhdukjes nga SHIK të babait tuaj. Kërkimi juaj është një kalvar më vete. Cilat kanë qenë kontaktet me zyrtarë të lartë në Shqipëri të cilat ju kanë dhënë një lloj shprese për zbardhjen e së vërtetës?

Për më shumë se 16 vite, d.m.th, qysh nga koha kur e kanë rrëmbyer babain tim, familja jonë ka trokitur në të gjitha dyert e mundura për të gjetur çdo lloj ndihme apo përgjigjeje që do të na ndihmonte të gjejmë babain tim apo ndonjë informatë rreth fatit të tij. Në vazhdim po i shkruaj vetëm disa nga to, që nuk do të thotë se janë më të rëndësishmet, por ato që më kujtohen tani nga biseda që kam pasur me familjarët e mi. Takimet i kishin zhvilluar xhaxhallarët dhe mamaja ime, duke qenë se unë isha vetëm 14 vjeç në kohën kur e rrëmbyen babain tim.

- Nëntor/dhjetor, 1995: Takim me Rrustem Gjatën, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Xhaxhai im, Hetem Hoxha ishte takuar me Rrustem Gjatën. Takimi ishte në zyrën e tij, në Parlament, dhe këtë takim e kishte mundësuar z. Ymer Gjonbalaj, përmes vjehrrit të Sali Berishës (Rexhepit), duke i thënë se Rrustem Gjata është një shqiptar i vërtetë dhe patriot, dhe si kosovar ka gjasa që tju ndihmojë shumë. Në takimin e parë u interesua për rastin, mori shënime, dhe premtoi se do të përgjigjet sa më shpejtë. Në këtë takim, tregoi për rastin e djalit të tij, më 1990-91, si ka vepruar dhe si ka arritur që ta lirojë djalin e tij prej kthetrave të kundërshtarëve të tij, duke aluduar për veten se është një shqiptar i vërtetë dhe do të na ndihmojë edhe neve. Në këtë takim ai i kishte thënë xhaxhait tim se, institucionet e tjera i janë nënshtruar atij dhe nuk ka nevojë që ai të shkojë tek ata, por se ata shkojnë tek ai. Në atë takim ishte prezent edhe xhaxhai i ndjerë, Avdyli. Në takimin e dytë, z. Gjata e pranoi edhe nënën time së bashku me xhaxha Hetemin, dhe përsëri premtoi se do të ndihmojë me atë që është e mundur, duke e ngushëlluar nënën time me fjalë të urta. Në takimin e tretë, me shumë insistim, prapë i kishte pranuar, por ishte shumë indiferent, dhe ishte tërhequr nga e gjithë ajo që kishte premtuar. Dhe ky ishte takimi i fundit me të.

-15-16 janar, 1996: Takim me z. Ali Spahia, kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së.

Xhaxha Hetemi kishte takuar z. Ali Spahia, i cili në atë kohë ishte Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, në zyrën e tij në Parlament. Këtë takim zyrtar e kishte ndërmjetësuar z. Ismet Ramadani, kryetar i Grupit Parlamentar të PPD-së (Partia për Prosperitet Demokratik) në Maqedoni. Takimi ishte në orën 12:00, ditë e premte, dhe z. Ali Spahiu e kishte pranuar atë në kabinetin e tij, duke e pyetur për çka bëhet fjalë. Xhaxhi i kishte treguar se është vëllai i Remzi Hoxhës, ia kishte dhënë të dhënat e babait tim dhe i kishte thënë të shkonte mbas 1 ore që ta marrësh përgjigjen. Në orën 12:55 minuta e kishte pranuar prapë në kabinetin e tij, ku ishte prezent edhe këshilltari i tij, dhe i kishte thënë se, kjo punë shumë shpejt do të kryhet dhe shumë shpejt do ta kesh vëllain në shtëpi, maksimum pas 2 javë. Atë moment, xhaxhai kishte qenë shumë i emocionuar dhe e kishte uruar atë që Zoti ti ruante njerëzit e drejtë dhe Shqipërinë. Pas kësaj vizite, në po të njëjtën ditë, e kishte informuar zyrën e LDK-së në Tiranë, z. Ilaz Ramajli, i cili i kishte thënë se, Ali Spahia është njeri i rëndësishëm dhe i respektuar dhe duhet të presim për atë që ai ka premtuar.

-Janar, 1996: Takimi me Lirie Berishën, gruaja e Sali Berishës.

Nëna ime ishte takuar me Lirie Berishën, gruan e Sali Berishës, përmes miqve të familjes, dhe ndër të tjerash ajo i kishte thënë: Vëllezërit e Remziut e dinë që Remziun e mban SHIK-u, dhe unë jam vetëm gruaja e Saliut, Presidentit të shtetit, dhe nuk më takon të merrem me këtë punë.

-Mars, 1996: Takimi me inspektorin e SHIK-ut, z. Xhavit Xhaferri.

Ky takim u mundësua përmes z. Bardhyl Fico, sekretar i shtetit për fenë në atë kohë, në kabinetin e tij në ministri. Duke dashur që ta zgjidhë çështjen, z. Fico në kabinetin e tij kishte ftuar Gjeneralin Xhavit Xhaferri. Bisedat me te kanë filluar dhe për një moment z. Fico doli nga kabineti dhe na la të bisedonim në katër sy. Në biseda, z. Xhaferrit i interesonte se nga i kemi informatat se Remziun e mban SHIK-u, por nuk i kemi treguar në asnjë mënyrë, sepse nuk donim që ne të dalim të pabesë ndaj personave që na kishin treguar.

-Mars, 2003: Takim me z. Ermir Dobjani, Avokat i Popullit, Republika e Shqipërisë.

Ermir Dobjani u njoftua për rastin nga Sindikatat e Pavarura të Kosovës dhe të cilët kishin bërë kërkesë zyrtare për ta ndriçuar rastin. Z. Dobjani u kishte premtuar se do të kishte një përgjigje për ta. Me veprimet e tija të palodhshme dhe vullnet të fortë, hapet dosja në prokurori dhe zyrtarisht fillon procesi ndaj të akuzuarve. Edhe pse gjykimi po vazhdon me vite, dihet se kush janë rrëmbyesit dhe vrasësit, emrat e njohur të prokurorisë. Në vitin 2004, xhaxhallarët Hetemi dhe Nebiu, së bashku me shokët e babait tim, Shefqet Maliqi dhe Afrim Morina, dhe z. Pajazit Nushi, kryetar i Këshillit të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, kishin një takim me Avokatin e Popullit, z. Ermir Dobjani. Duke komentuar rastin e babait tim, Afrim Morina ia bëri një pyetje z. Dobjanit: Çka është motivi që e kanë marrë Remziun? Ai iu përgjigj duke thënë se: Sikur të ishte Remziu një rrugaç ose një kriminel, me Remziun do të merreshin organet e rendit dhe policia, por në këtë rast Remziu është marrë nga organet e shtetit. Në këtë bisedë, Dr. Pajazit Nushi bëri një koment duke i thënë se: Ne shqiptarëve në Kosovë, serbët na vranë, na persekutuan, dhe na hodhën me frigorifer në Danub dhe i gjetëm kufomat e i varrosëm. Kurse ju kur i keni emrat, personat, targat me të cilat është rrëmbyer Remziu, dhe thirreni në demokraci, përse nuk mund të gjenden eshtrat e Remziut? Përgjigjja ishte se: Unë gjithçka kam bërë, gjithçka që është në kompetencat e mija dhe tash lënda është në gjykatë. Juve ju mbetet të kërkoni edhe më tej të vërtetën.

Këto ishin vetëm disa nga takimet zyrtare me njerëz të institucioneve, normalisht se jo më të rëndësishmit, por disa nga ato që na u kujtuan. Ka edhe shumë të tjera, por do të duhej të shkruajmë një libër të tërë për të përshkruar të gjitha takimet, bisedat dhe veprimet që kemi bërë gjatë këtyre 16 viteve.

Cilat janë përgjigjet zyrtare që ju janë dhënë?

Letra iu kemi dërguar të gjitha institucioneve të Shqipërisë. Kërkesa dhe telegrame në fillim janë bërë duke filluar prej Sali Berishës, Presidentit të Shqipërisë; Fatos Nanos, Kryeministër; Pjetër Arbnorit, Kryetarit të Parlamentit; Agron Musarait, ministrit të Rendit; Bashkim Gazidedes, drejtorit të SHIK-ut; Alush Dragoshit, Prokurorit të Përgjithshëm; Rexhep Mejdanit, Alfred Moisiut, Ali Spahisë e shumë të tjerëve. Dhe nga të gjitha këto letra dhe telegrame ke

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›