E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri po bën gati parullat për mitingje

Nga Tema

Antena brenda familjes

Dje Flamurit iu hapën telashe të reja. Ra zilja e telefonit dhe ishte ai burri. Në raste të tilla, kur është në zyrë, Flamuri merr një herë stilolapsin për të shkruar, pastaj e hap telefonin. Ashtu bëri dhe s’e gënjeu intuita.

- Shkruaj, - tha ai burri nga ana tjetër e telefonit, pa e përshëndetur.

Nisi të shkruajë Flamuri. “Rruga nuk duhej të ndërtohej, sepse Kosova nuk duhet të kishte akses të lirë në det dhe Evropë”. “Rruga nuk duhet të ndërtohej, sepse portet shqiptare nuk duhet të bëheshin portet më të rëndësishme të rajonit”. “Rruga nuk duhet të ndërtohej, sepse rrugët e Kosovës për në Evropë duhet të kalonin nëpër Serbi.” “Rruga nuk duhet të ndërtohej, sepse tregu i trevave shqiptare nuk duhej të unifikohej”....

Flamuri që nuk po arrinte dot të mbante shënim, e ndërpreu.

- Cila rrugë doktor, se ne po i bëjmë të gjitha rrugët që na ke thënë ti?

- Urdhëro...? Ah, ty të paskam marrë unë? Mbylle se do merrja dikë tjetër.

Flamuri i shkretë mbeti i shtangur. S’po kuptonte më se ç’ndodhte. Që ai burri ngatërrohej shpesh me telefonata dhe e merrte kot, e kishte pasur përvojë. Por që t’i mbante fjalim kundër rrugës, nuk i kishte bërë vaki. Për kë rrugë ta ketë vallë që nuk duhej të ndërtohej, thoshte Flamuri me vete. I sillte në mendje fjalët “...se Kosova nuk duhet të kishte akses të lirë në dete...”.

Ta ketë për rrugën e re që kanë bërë këta të Malit të Zi, nuk besoj. Për këtë të Shëngjinit do ta ketë, tha me vete. Eh telashe, hajt ta anulosh tani atë. Fjalia tjetër dhe më e rëndë.... “se rruga nuk duhet të ndërtohej, se rrugët e Kosovës për në Evropë duhet të kalonin për në Serbi...”.

Ëhë, për këtë rrugën e katundit tim nga Kukësi do ta ketë, tha. E kisha një parandjenjë që do ishte gabim kjo punë, po s’ma mbante. Tani nuk anulohet ajo, kot gjithë kjo deklaratë...

Ndërkohë që Flamuri po përsiatej me veten se cila rrugë nuk duhej të ndërtohej, ra prapë zilja. Ishte prapë ai burri.

- Flamur, dëgjo se të rashë gabim qëparë. Duhet me u bë gati për betejë. Duhet t’ia nisim menjëherë. Jo nuk e toleroj më. Bëj gati parullat, njerëzit, do nisim mitingjet. Do t’i çoj njerëzit te prokuroria e asaj zonjës. Jo, s’e kalon dot lehtë me mua ajo. Te prokuroria do t’i çojmë njerëzit. 50 mijë vetë do t’i çojmë. Njëqind mijë. Ka për ta parë ajo. Bëj gati parullat.

- Çfarë do shkruajmë, - tha Flamuri, - se ato të vjetrat nuk bëjnë?

- E di që nuk bëjnë ... mbaj shënim, shkruj... “Mafia serbe pengon rrugën Rrëshen-Kalimash!” ...Urdhëro...? Ah s’the gjë. Hë si të duket...?

- Mirë, po kanë lakuar shumë këtë Fazlliçin tani dhe duket sikur është fjala për atë. Ai është njeriu jonë, po s’dihet s’i merret ...

- Ashtu ë...? Ke të drejtë në fakt. Jo mafia, hiqe mafia. Shkruaj.. “Sllobodani në Tiranë kundër rrugës”

- Po më fal se po të ndërhyj, po Sllobodan është një biznesmen nga Banja Luka që i ka dhënë Lul Basha rrugët e Jugut, Vlorë- Levan dhe Tepelenë- Levan dhe duket sikur e kemi për atë...

- Ke të drejtë, në fakt duhet mos me përmend emra... shkruaj... “Armiqtë e Shqipërisë kundër rrugës”.

- Kështu po, - tha Flamuri. - Të shtojmë dhe ndonjë tjetër?

- Po shumë mirë, shto.. “Luli, Luli, ti je gjallë!” Duhet me e pasë dhe në kasetë këtë, ta japim në mitingje.

- Po mirë. Po mos merret ters sikur do vrasë njeri Lulin, - i tha Flamuri.

- S’ka problem. Ai do jetë simboli. S’ka rëndësi a e vrasin, a e burgosin. Të bëjnë ç’të duan. Ne do ta mbrojmë atë.

- Po mirë, e shkrujta dhe këtë. Tjetër ça parullash të përdorim nga këto të vjetrat?

- Shkruj “Rama, mamuth i korrupsionit”.

- Po e shkruj dhe këtë se mund t’i djegë asaj gruas, të duket sikur e kemi për atë.

- Shumë mirë. Boll i ke. Shto dhe ndonjë vetë.

I mërzitur pas telefonatës, Flamuri përplasi stilolapsin mbi tavolinë. Hajt mbro dhe këtë byth... tani, tha. Dhe këtë kisha mangut. I bllokuar se s’dinte ç’të shtonte akoma më tej, merr në telefon Glorin, këshilltarin bejtexhi të doktorit dhe i kërkon një parullë në mbrojtje të Lulit për miting.

- Shkruaj, - i tha Glori, - “Luli, Luli, kush ta nguli!”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›