INTERVISTA/ Madhi: Mocioni i opozitës çorientim i përgjithshëm,

“Mendoj që askush nuk ka rezerva që e gjithë e djathta të orientohet drejt një filozofie të re se si do të mund të unifikonim qëndrimet tona. Republikanët nuk ecin me arsyetimin se përfshirja në një federatë do të mund t`i jepte privilegj atyre, por për t`u përfaqësuar në forumet drejtuese të federatës në përputhje me vetë peshën politike që vetë republikanët kanë”
Në një intervistë për gazetën “55”, Arian Madhi, deputeti i Partisë Republikane dhe njëkohësisht Sekretar i Komisionit për reformën zgjedhore komenton një sërë çështjesh aktuale në politikën shqiptare. Lidhur me mocion debatin e kërkuar nga opozita ndaj Kryeministrit Berisha për çështjen “Fazlliç”, Madhi i ka cilësuar reagimet më të fundit të opozitës si çorientimit të përgjithshëm, i pirur nga ideja për të mbajtur një klimë tensioni të ngritur.
Deputeti republikan nuk lë pa përmendur dhe protestën e LSI, duke shpjeguar se kjo betejë e hershme, ka nisur mbi pretendimin se LSI-së, për t’u përfaqësuar me një komisioner në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Madhi shpjegon se me Kodin e ri Zgjedhor, LSI e ka parë veten jashtë procesit të administrimit të votës, lidhur me formatimin e dispozitave më të rëndësishme të kodit zgjedhor, ato që kanë të bëjnë me administratën zgjedhore dhe shpërndarjes së mandateve, dhe për këtë arsye e ka paragjykuar procesin zgjedhor.
Ndër të tjera ai garanton se reforma zgjedhore do të mbyllet përpara 14 nëntorit, afatit të fundit të përcaktuar për komisionin e reformës zgjedhore. Deputeti republikan mendon se shkrirja e PDR-së me PD-në vjen si pasojë i faktit të mos pasurit diferenca programore. Madhi shprehet ndër të tjera se PR vazhdon t’i qëndrojë idesë së krijimit të një e një konfederate, e cila përcakton rregulla të përbashkëta loje dhe përfaqësimi në skakjerën politike, ide që mund të realizohet në një moment tjetër, pasi tashmë jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Në seancën e fundit parlamentare opozita kërkoi një mocion ndaj Kryeministrit Berisha për çështjen “Fazlliç”. Duke pasur parasysh dhe debatin e zhvilluar në Kuvend, si e komentoni këtë kërkesë të opozitës dhe reagimet e saj?
Unë vlerësoj këtë një çorientimit të përgjithshëm të opozitës, lidhur me strategjinë e saj , lidhur me detyrimet e saj për të bërë oponencë konstruktive ndaj qeverisjes. Mendoj se edhe mënyra se si opozita kërkoi të zhvillohet kjo seancë e ashtuquajtur me debat ndaj Kryeministrit ishte në vazhdën e kësaj. Sigurisht që mendoj dhe vlerësoj që arsyeja e vetme e opozitës nuk është fakti që kërkon të zbardhë çështje, pasi një pjesë e tyre janë të zbardhura dhe një pjesë e tyre janë atribut vetëm i Prokurorisë, por ajo priret nga ideja për të mbajtur një klimë tensioni të ngritur, dhe këtë klimë tensioni përpiqet ta ushqejë nëpërmjet manipulimit të fakteve, abuzimit dhe mashtrimit. Për sa i përket këtij rasti unë mendoj se opozita ra në grackën që ajo vetë kishte ngritur, duke i dhënë mundësi vetë mazhorancës të shpalosë atë që ajo ka të detyrë ta bëjë publike, nëpërmjet artikulimit politik, pikërisht arritjeve të 3-vjeçarit që vetë mazhoranca ka bërë me qeverinë e saj, arritje që në asnjë rast nuk janë në kundërshtim me objektivat e përcaktuara nga Kuvendi në programin qeverisës. Pra kërkesa për mocion së cilës i mungonte përfundimi i saj qoftë nëpërmjet një rezolute votimi, do të thotë që ishte vetëm një seancë farse debati, me anë të së cilës opozita mendoi se do të rriste kreditet e saj. Mendoj se opozita në këtë rast mori përgjigjen e merituar, mori përgjigjen për të cilën eventualisht kishin nevojë shqiptarët, jo përgjigjen që ajo të mund pastaj ta manipulonte dhe ta kthente temë të politikës së saj, temë me anë të okelios që ajo ka shpallur fushatën e saj “parti e popullit” duke shëtitur çdo skaj të Shqipërisë, por mori atë që vërtet kërkohet nga shqiptarët që është bilanci i një viti përpara përfundimit të mandatit të Kuvendit, bilanc i arritjeve të qeverisë. Besoj dhe shpresoj që çdo shqiptar që ka ndjekur debatin tashmë është i bindur plotësisht nga argumentet dhe faktet e parashtruara nga mazhoranca, gjë që në anën e kundërt mungoi nga opozita, jo vetëm argumentimi i pretendimeve të saj por edhe komprometimi i proceseve të cilat ekskluzivisht duhet të jenë monopol i pushtetit aq
të dëshiruar nga opozita nëpërmjet demagogjisë së saj. Kjo opozitë ka merakun e vetëm të krijojë një gjendje kaosi dhe tensioni politik sepse vetëm në këtë mënyrë ajo mund të akuzojë nesër për të justifikuar humbjen e saj.
LSI zhvilloi dy ditë më parë një protestë përpara OSBE. Si mund ta konsiderojmë këtë përpjekje të kreut të kësaj partie, zotit Ilir Meta?
Protesta e LSI-së përpara OSBE, është në kuadër të rezervave që kjo parti ka pasur në kuadër të gjithë procesit të reformës zgjedhore. Në sinjalet informale që janë dhënë lidhur me formatimin e dispozitave më të rëndësishme të kodit zgjedhor, ato që kanë të bëjnë me administratën zgjedhore dhe shpërndarjes së mandateve, LSI e ka parë veten jashtë procesit të administrimit të votës, dhe në këtë koncept duke e konsideruar veten e saj jashtë këtij procesi. Pa dashur të analizoj gjithë lëvizjet politike të kësaj partie, do të thosha që ky është një paragjykim që duhet shmangur në çdo rast, pasi kjo do të çonte në gjetjen e valvulave të justifikimit lidhur me rezultatet që do të arrijnë subjektet politike. Të mos harrojmë për një asnjë çast që lideri i LSI është deklaruar për një objektiv të tijin
në zgjedhjet parlamentare të viti 2009. Fillimisht e kam vlerësuar këtë si një përgjegjshmëri ndaj objektivit që ka vendosur partia e tij por kurrsesi nuk do kisha pasur mendimin se kjo do të vlerësohet si mundësi për të ngritur lart emocionet e subjektit që ai drejton, për t`i dhënë më pas mundësi që në rast se nuk do të mund ta justifikojë me votën e shqiptarëve këtë mbështetje politike, të gjejë dhe arsye të mjaftueshme për t`u justifikuar për shkak të atij angazhimi që ai e ka bërë tashmë publik. Të paragjykosh
një proces paraprakisht nuk më duket si kontributi më i mirë rreth reformës zgjedhore, sigurisht që të kesh rezerva të kesh pasiguri kjo është shumë njerëzore, shumë politike, por krahas kësaj duhen marrë masat për të sjellë në kod ato dispozita që do të mund të garantojnë parandalimin e vjedhjes së votës. Nuk mendoj as unë a ndokush tjetër që vetëm një komisioner do të mund të parandalonte vjedhjen e votës. Nëse do të ecim me këtë logjikë atëherë të gjitha subjektet politike që kanë rezerva për mundësinë e vjedhjes së votës së tyre, të tërë kanë nevojën të përfaqësohen nga anëtarë komisionerë në qendrat e votimit, diçka që absolutisht nuk mund të ndodhë. Ruajtja e votës për të cilën të gjithë janë të shqetësuar dhe jo vetëm LSI, bëhet nëpërmjet gjetjes së instrumenteve juridikë që dhe pa prezencën e komisionerit përfaqësues të vetë partisë, të kenë mundësi që procesi të jetë i monitorueshëm, i ankimushëm dhe për të marrë përfundimisht një vendim i cili do të mbështetet mbi prova dhe argumente. Duke realizuar këtë do të realizohet dhe kërkesa e përsëritur mediatikisht që komisionerët të vijnë nga shoqëria civile, pra nga një trupë jashtë përfaqësimit politik. Për sa kohë ne ishim të gatshëm ta pranonim një zgjidhje të tillë, nuk e kuptoj pse sot që është bërë pikërisht një zgjidhje e tillë nuk pranohet. Së dyti ka një referencë se si do të bëhet përfaqësimi i partive politike në komisionet zgjedhore. Gjykimi i LSI-së me të ashtuquajturën deformim të përfaqësimit në Kuvendin e Shqipërisë të partive politike edhe pse mbetet një pretendim i arsyeshëm, për shkak të të ashtuquajturit funksionim të sistemit të “Dushkut”, unë nuk mendoj që në mënyrë krejt subjektive të bëhet tashmë gjykimi i peshave politike të përfaqësuesve të parlamentit shqiptar, dhe mbi bazë të këtij gjykimi subjektiv të thuhet se ju e meritoni, ne se meritojmë, ndërsa anasjelltas të bëhet përfaqësimi në komisionet zgjedhore. Ajo që është interesante është një fakt që beteja politike në mbrojte të votës së lirë, iniciuar nga LSI më duket e parakohshme, për faktin se kjo betejë ka nisur vetëm mbi pretendimet mbi komisionerin në Komisionin Qendror të zgjedhjeve. Me sa e njoh kodin zgjedhor dhe ndryshimet e tij, unë nuk mendoj se ka akses anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të deformojë rezultatin e zgjedhjeve. Do t’u thosha që si në asnjë proces tjetër, procesi i vlerësimit dhe vendimmarrjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është një proces tërësisht transparent, publik, me prezencë të mediave, OSBE-ODHIR, pra është e vështirë në këtë rast të manipulohet procesi zgjedhor. Për sa i përket procesit që do të zhvillohet në Komisionet e Votimit , ndryshimet e kodit zgjedhor kanë sjellë tashmë një sërë ndryshimesh shumë të rëndësishme që e minimizojnë procesin e votimit në mënyrë të falsifikuar, ç`ka do të thotë që askush sot nuk do të mund të hedhë votën në kutinë e votimit në emër të tjetrit, pra pa qenë prezent vetë votuesi që voton. Mekanizmi është ky që në listën e zgjedhësve për çdo votues që voton përkrah tij duhet të ketë domosdoshmërisht numrin e kartës së identitetit të tij apo numrin e pasaportës. Edhe një votues që kërkon të votojë më shumë se një herë duhet ta justifikojë këtë me numrin e kartës së identitetit, dhe kjo është lehtësisht e konstatueshme. Për sa i përket procesit të numërimit, kodi zgjedhor sjell përmirësime të dukshme, duke ofruar një proces numërimi sa më transparent, duke future dhe konceptin e automatizimit të procesit të numërimit, dhe i largohet preferencës së përfaqësimit të partive politike në komision mbi bazën e peshës politike që kanë partitë dhe kjo bëhet mbi bazën e një shorti, pra hidhet një short se cili do të jetë anëtari i grupit të numërimit të votave, dhe më pas do të jenë partitë në bllok të djathta dhe të majta dhe shorti do ta përcaktojë këtë, pra nuk do të kemi një paracaktim të një subjekti politik. Në këto kushte unë mendoj se duke analizuar arrijmë lehtësisht në konkluzionin që është i parakohshëm paragjykimi dhe një lëvizje kaq e fuqishme e cila siguron preludin e një kontestimi të ardhshëm. Gjithsesi politika duhet të ulet në tryezë, duhet të ezaurojë çdo mundësi që do t`i krijojnë vetes paritë politike për ta kontestuar procesin zgjedhor, nuk do të ishte aspak e hijshme për net ë cilët aspirojmë të realizojmë një proces zgjedhor brenda standardeve dhe të nevojshëm për procesin e integrimit tonë në strukturat Euro-Atlantike.
A mendoni se Reforma Zgjedhore do të mbyllet, brenda afatit më të fundit që u votua edhe nga Parlamenti?
Jam i bindur se reforma zgjedhore do të përfundojë brenda datës 14 nëntor, brenda kësaj date Komisioni i Reformës Zgjedhore më në fund do të sjellë produktin e tij dhe besoj se njëkohësisht do të jetë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë. Kam qenë vazhdimisht për idenë se paçka vonesave, më mirë të sjellim një reformë që të sjelli një produkt sa më pozitiv, se sa të sjellim një reformë me kohë të shpejtë çka do të dëmtonte sistemin zgjedhor. Besoj se jemi në kohën optimalisht të mundshme dhe në një kohë të një debate politik të konsultimit të gjithë partive politike për draftin dhe për një vendimmarrje të tyre, se c`qëndrim do të mbajnë ndaj draftit të përgatitur. Me këtë rast unë sjell opinionin e PR-së e cila është njohur me draftin, draft i cili përbën në vetvete themelin e interesave të partive politike. Partia republikane nuk gjen rezerva të qenësishme për ta kundërshtuar këtë draft, përkundrazi do të japë votën e saj miratuese.
Para disa ditësh PDR firmosi aktin e shkrirjes me PD. Si e komentoni këtë ngjarje dhe a do t’i shërbejë ajo rezultatit që do të ketë e djathta në zgjedhjet e vitit 2009 ?
E konsideroj një akt norma. Në gjykimin tim personal Partia Demokrate Reformatore u ngrit jo si një alternativë programore kundrejt Partisë Demokratike por si një produkt i lindur si shkak i një përplasje që doli si sfidë e interesit për të drejtuar. Në këtë kuptim duke mos parë diferenca programore por thjesht rezerva të karakterit të drejtimit të partisë, unë mendoj se kjo çështje ishte e ezauruar për sa kohë PDR ishte përfshirë në një bashkëpunim shumë konstruktiv me PD-në, Kryeministrin Berisha për të realizuar objektivat e përcaktuara në programin e përbashkët qeverisës të të gjithë koalicionit. Pra, hendeku i rezervave në kuptimin e metodave të drejtimit ishte i mbyllur dhe për sa kohë nuk kishte më dasi programore që ta veçonin PDR-në si një parti e cila shkon dhe orientohet drejt qëllimeve të ndryshme, kjo parti nuk kishte pse të humbiste kohë për të krijuar fraksione të paqena dhe të mbetej si e tillë në spektrin politik shqiptar, duke zgjedhur një fragmentizim të paarsyeshëm të elektoratit shqiptar. Ne si PR kemi qenë për atë që ne të gjithë duhet të shkojmë drejt bashkimit të forcave politike shqiptare, për të qenë dhe konstruktivë.
Në momentet aktuale si e shihni idenë e bashkimit të së djathtës shqiptare në një federatë, modeli i bashkimit të së djathtës franceze?
Ne kemi qenë për krijimin e një konfederate e cila përcakton rregulla të përbashkëta loje dhe përfaqësimi në skakierën politike. Ne republikanët i jemi referuar modelit francez i cili është një model produktiv që i përshtatet mjaft mirë dhe realitetit tonë. Me sa kuptoj aktorët e rëndësishëm politik nuk e kanë parë ndoshta të përshtatshme kohën për të zhvilluar një lëvizje të tillë, pasi mbase mund të sillte koston e administrimit në mënyrën e ndërtimit të kësaj federate, funksionimit të saj, gjë të cilën mbase ata nuk e kanë parë të arsyeshme pasi jemi në një periudhë prag zgjedhore. Mendoj që askush nuk ka rezerva që e gjithë e djathta të orientohet drejt një filozofie të re se si do të mund të unifikonim qëndrimet tona. Republikanët nuk ecin me arsyetimin se përfshirja në një federatë do të mund t`i jepte privilegj atyre, por për t`u përfaqësuar në forumet drejtuese të federatës në përputhje me vetë peshën politike që vetë republikanët kanë.
...