Politika e re e Edvinit, enveriada që ka për tagji krimin e organizuar

1. Papritur, në mënyrë aksidentale, në moshën 50 vjeçare, humbën jetën në mesditën e 12 shtatorit 2008, në Lekas të Korçës, afaristi shqiptaro-amerikan, Kosta Trebicka, teksa ishte nisur për gjah në natyrë. Ende pa u shpërndarë mirë lajmi në eter, krerë e segmente të sa majtës, nisën “gjahun politik” në masmedia si ekspertë, parlament, si prokurorë e në rrugë mitingashore si triumfatorë, duke e keqcilësuar si një “Vrasje mafioze” dhe, për më tepër, tundën e snajperuan akuza mjegullnajore e amplitudore ndaj Qeverisë, veçanërisht ndaj Kryeministrit të Shqipërisë, duke i kërkuar dorëheqjen e parovokueshme e shkuarjen ultimative para drejtësisë. E gjitha kjo ofensivë e keqpërdorimit të kësaj vdekjeje aksidentale në këtë rast nuk është një rastësi, por gjithësesi është e mbetet një filozofi e së majtës shqiptare, e strategjisë politike të saj.
Një e vërtetë është absolute, është ende koherente: E majta shqiptare po e kriminalizon politikën, po bën një politikë kriminale. Ajo si ajo (!), po e mban në meny-në e vet, në mendjen e mëgët e veta, në zorrët e zorrosjet e saj, një tagji enveriane, tagjinë e politikës kriminale. Këtë tagji si me magji do t’ua servirin opinionit shqiptar e ndërkombëtar, si rastin “Trebicka”, që të mbllaçiten në skutat e skuthlleqet e saj, si ata që janë të paditur, ata që mbeten të uritur, ata që mund të helmohen dhe ata që fatkeqësisht mund të gëzohen… (!) Në pasditen e vonë të 19 shtatorit 2008, pikërisht për të “7-tat e Trebickës”, (ç’ironi e faktit e fatit!), të gjithë ata që hëngrën apo donin të hanin në këtë “Tagji” dolën në rrugët e Tiranës duke e përdorur marrëzisht vdekjen e tjetrit në tregun e politikës së vet, në linjën e marshet e politikës së tyre kriminale. Këtë Tagji të Politikës së tyre Kriminale, që nuk mund t’ua hanin as “kuajt e karrocës”, deshën t’ua kerpeshonin ndërkombëtarëve, duke sirenuar e kalëruar kancelarive të botës…
2. Kjo Tagji e Politikës Kriminale është pjesë historike, jetike, mafioze e monstruoze e së majtës komuniste shqiptare, e Enveriadës, nga 8 nëntori i 41-shit deri tek 8 nëntori i 2008-s. Enveri e Enveriada e tij e shtynte pabesisht drejt vdekjes tragjike 27 vjeçarin Nako Spiro, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm e Ministër i Ekonomisë, më 20 nëntor 1947 dhe pasi ia lëvizën nja pesë herë varrin e rehabilituan si një hero, ndërsa të fejuaren e tij, 21 vjeçaren Ramize Gjebrea, pasi ia pushkatuan pabesisht më 5 mars 1944, një vit më vonë e shpallën “Dëshmore të Kombit” dhe më pas e varrosën tek Varrezat e Kombit në Tiranë. Enveri e Enveriada e tij ish-antaren e Byrosë Politike të KQPPSH, Liri Gega (shtatzënë) dhe Gjeneral Dali Ndreu (bashkëshorti i saj) u pushkatuan mizorisht në dhjetor të vitit 1957. Po kështu, në mënyrë tragjike e të tufëzuar i pushkatoi në vitin 1974 Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon, ndersa Abdyl Këllezin e Koço Theodhosin në vitin 1976, kurse Mehmet Shehun e eleminuan me grua e me djalin e tij, etj. Politika Kriminale e Enverit e Enveriadës së tij kishte tagjinë e vet të qefinave, si në shembujt e mësipërm e në dhjetra të tjerë, kur vrasjet i cilësonte si “vetëvrasje” dhe eleminimet e bashkpëpunëtorëve të vet si “fitore” të PPSH e të komunizmit. Enveri dhe Enveriada u ushqyen dhe i ushqenin të tjerët me këtë Tagji të Politikës Kriminale për të mbajtur e mbrojtur pushtetin e tyre gjakatar e antishqiptar, për të ndërtuar “Komunizmin e Epokës së Gurit” në rrethim, mjerim e nënshtrim, në këtë vend nga më të bukurit e ndër të pasurit e botës.
3. Kjo Tagji Enveriane e Qefinëve po përdoret edhe nga e majta në këto vitet e Demokracisë Shqiptare. Sado që trumbeton mediatikisht vetveten për një “politikë të re”!), ajo, në themeli e ecuritë e saj, ka gjeostrategjinë politike të Enveriadës, mbart Tagjinë e Politikës Kriminale: me vrasjet në kufi në fillimet e pluralizmit, me vrasjet terroriste në vitet ’91-’92 në Shkodër, Tiranë, Kavajë, vrasja mafioze e Bujar Kaloshit më 26 korrik 1996 në Tiranë, vrasjet në vitin 1997 në Vlorë të Besnik Hidrit e Lekë Qokaj, në Qafë Gjashtë të Sarandës e Gjergj Mehmetit, tek Ura Vajgurore e 4 policëve të shtetit, në Masakren e Cërrikut më 23 maj të 6 gardistëve, etj. etj. Disa i dogjën të gjallë apo ua pinë gjakun, disa i vranë pas shpine me plumba apo me sopata, etj.
Mirëbëhet që këtyre martirëve iu jepen dekorata deri te “Nderi i Kombit”, por Nderi i Shqiptarisë, i Demokracisë, i Drejtësisë kërkon që të ndëshkohen penalisht e botërisht autorët e aktorët e këtyre që mbajnë në vegëza e këmbëza “Tagjinë e qefinëve”, që trumbetojnë me Tagjinë e Politikës Kriminale. Vdekjen aksidentale të të ndjerit Trebicka, më 12 shtator 2008, e keqklasifikon, sirenizon e ullakon si “vrasje mafioze”, ndërsa ekzekutimin politik, eleminimin fizik, të Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, më 12 shtator 1998, e kangurizoi, dhelproi e ujkëroi si “fitore” të saj…
Tagjia e Politikës Kriminale është e rrezikshme, pasi po na vjen si vazhdim i Enveriadës gjakpërlyer, po na paraqitet fytyrë-shëmtuar si një “Politikë e Re!” në emër të Jetës duke vetluajtur me Vdekjen, po na shfaqet si presion psikologjik e politik i ditës me me orekstrime tragjike të ’97-tës, etj. , po na e dëmton me sa e si mundet imazhin e kohës në sytë e brezave shqiptarë e të ndërkombëtarëve teksa shkojmë drejt NATO-s, në BE, etj. Tagjia e Politikës Kriminale në këtë fillim shekulli XXI, që po e vorbullon, çorbëzon, zorron e surrogaton e majta në opozitë kundër të djathtës në pushtet, është antishqiptare për nga Tradita jonë Historike, është antidemokratike për nga vlerat që mbart në këto vite e tejçon në lartësi dimensionale Demokracia Shqiptare, është provokuese e kompromentuese për Drejtësinë e Sotme Shqiptare…
Në këtë shekull të ri, në këtë vend me 28.748 km2 e mbi 3.6 milionë banorë, në këtë vend që po ecën drejt NATO-s e BE, në këtë vend me një buxhet të pritshëm mbi 5 miliardë USD, nuk mund të tolerohet nga Tradita, Ligji, Drejtësia, që të na varet si gurë në qafë Tagjia e Politikës Kriminale e sa majtës, qoftë edhe në një rast të vetëm si ky “Trebicka” apo në qindra raste fatale e tragjike të së shkuares e të sotmes së saj.
...