Topalli: Reformat tona të pakthyeshme, do t’ia dalim me integrimin
Bullgaria ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Përshëndet kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka përshëndetur parlamentin bullgar për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE. Në fjalën e mbajtur në parlament, ajo tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën një moment historik jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera të Ballkanit. Kryeparlamentarja Topalli vuri në dukje se Shqipëria është e angazhuar për të përballuar sfidat drejt së ardhmes.
Në ditën e parë të vizitës së saj zyrtare në Bullgari, me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Bullgarisë Georgi Pirinski, Kryetarja e Kuvendit mori pjesë në seancën plenare të votimit të aderimit të protokollit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Në hapje të seancës Kryetari i Kuvendit të Bullgarisë deklaroi se është shumë i kënaqur që Kuvendi i Bullgarisë, përshpejtoi procedurat e ratifikimit të Protokollit të Anëtarësisë në NATO të dy vendeve Shqipërisë dhe Kroacisë. Jo vetëm Parlamenti, por të gjitha strukturat e shtetit bullgar kanë mbështetur pa rezerva këtë proces.
Gjatë seancës përshëndetën dhe ministri i jashtëm i Bullgarisë Ivajlo Kalfin njëherësh dhe zëvendëskryeministri i Bullgarisë. Ai tha se me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO krijohen korniza të reja strategjike. Vendimin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO erdhi si njohje e arritjeve dhe sukseseve të dy vendeve në fushën e reformave.
Përfaqësues të grupeve të ndryshme parlamentare në këtë parlament përshëndetën dhe mbështetën anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Bullgaria bëhet kështu vendi i shtatë që ratifikon këtë protokoll brenda një muaji.
E pranishme në seancën plenare të votimit të aderimit të protokollit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë mbajti një fjalim përpara parlamentarëve bullgarë gjatë seancës së ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO nga ky parlament.
Në nisje të fjalës e saj para deputetëve të Kuvendit të Bullgarisë, Kryetarja e Kuvendit e cilësoi si një event historik, si një privilegj të veçantë adresimin këtij Parlamenti, “në një ditë kaq të veçantë, kur një vend tjetër mik ratifikon protokollin e pranimit të Shqipërisë në NATO”.
Kryetarja e Kuvendit, në fjalën e saj në mënyrë të veçantë është ndalur në një ekspoze të reformave të ndërmarra nga Shqipëria në procesin e integrimit, reforma të vlerësuara nga raportet ndërkombëtare.
“Ne mundëm të ecim përpara falë mbështetjes së popujve miq, ne e mbajtëm gjallë ëndrrën evropiane dhe e çuam atë më tej; ne ndërmorëm reforma të guximshme dhe arritëm transformime kolosale dhe të gjitha këto në sajë të lidershipit të fortë, angazhimit, vendosmërisë, përgjegjshmërisë dhe besueshmërisë”, ka theksuar kryetarja e kuvendit.
Ndër të tjera në fjalën e saj Topalli është shprehur se “reformat tona janë të pakthyeshme ndaj edhe Shqipëria do t’ia dalë mbanë për tu renditur në krah të vendeve anëtare të BE-së. Zemra e madhe shqiptare nuk na ka lënë në baltë dhe nuk do të na lërë sot, më shumë se kurrë. Shqipëria është tashmë në prag të NATO-s dhe në paradhomën e BE-së” ka pohuar Topalli.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka falënderuar parlamentarët bullgarë për mbështetjen dhe vlerësimin me këtë votë pro protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës zyrtare në Bullgari, vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, pritet të ketë takime të veçanta me Kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, Sergej Stanishev, Kryetarin e Kuvendit Popullor, Georgi Pirinski, zëvendës Presidentin e Republikës, Angel Marin, zv/kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ivajlo Kalfi e të tjerë.
...