INTERVISTA/ Poni: Qytetarët shqiptarë do të futen në Europë me dokumente të sigurta

"Qytetarët shqiptarë do të futen në Europë me dokumenta të sigurta", u shpreh në një intervistë, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinant Poni
"Ndërsa Qeveria ka demonstruar vullnetin maksimal dhe përmbushjen e të gjitha kushteve teknike , u takon shqiptarëve që të luajnë edhe ata rolin e tyre në liberalizimin e vizave, që do të thotë se paisja me pasaportat biometrike është një kusht i domosdoshëm", tha Poni. Për numrin dy të ministrisë së Brendëshme, brenda vitit 2010 rreth 2.300 000 pasaportat aktuale për jashtë shtetit, duhet domosdoshmërisht të zevendësohen me pasaportat e reja biometrike, për të cilën kompania ZAGEM garanton të gjitha kapacitetet. Duke e cilësuar deklaratën e tij jashtë politikës, "unë , si qytetar i Shqipërisë, do të thoja se është shumë më lehtë të udhëtohet me dokumentat e reja më të besueshme se ato ekzistuese, është shprehur zëvendësministri i Brendshëm.
I shprehur optimist për ecurinë e procesit të paisjes së shtetasve me pasaportat e reja biometrike, ( mbi 38.567 shtetas, bëri të ditur ai, kanë aplikuar deri tani për tu paisur me pasaportën biometrike, ndërkohë që janë prodhuar dhe shpërndarë mbi 35 mijë të tilla). Për të shpejtuar procesin e liberalizimit të vizave me vendet e BE-së, për zëvendësministrin e Brendshëm, nisur edhe nga kapacitetet prodhuese të firmës kontaktuese, do të ishte e domosdoshme që numri i pasaportave të reja biometrike në duart e qytetarëve shqiptarë, deri në fund të vitit 2009 duhet të shënojë 400 mijë të tilla. Kjo shifër, sipas Ponit do të ishte një kusht i nevojshëm për negociatat për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së.
Zëvendësministri i Brendshëm sqaroi gjithashtu se "një shtetas, që të aplikojë për pasaportën biometrike,duhet domosdoshmërisht që ai më parë të ketë aplikuar për letërnjoftimin elektronik, ndërkohë që procedura e aplikimit është e njëjtë në të dyja rastet. "Nisur nga shifrat e deritanishme, si dhe krahasuar me ritmin e prodhimit të pasaportave të aktuale për jashtë shtetit, -tha Poni,- kapacitetet prodhuese të pasaportave biometrike, edhe pse jemi në fillim të këtij procesi, janë shumë herë më të larta". Sipas tij, edhe pse procesi është në fillimin e tij, aktualisht kapacitet aktuale të prodhimit të pasaportave biometrike, janë mbi 3000 të tilla në ditë. Ndërsa e cilësoi pasaportën biometrike, një dokument tejet bashkëkohor, numri dy i ministrisë së Brendëshme i kërkoi të gjithë shtetasve shqiptarë që këtë produkt të mrekullueshëm të verifikimit të identitetit të tij, çdo qytetar duhet ta disponojë.
"Edhe pse një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë kanë në duart e tyre pasaportat aktuale për jashtë shtetit, tashmë ka ardhur koha, - tha ai,- meqenëse ekzistojnë të gjitha mundësitë, çdo shtetas shqiptar duhet të udhëtojë jashtë vendit me pasaportën e re biometrike, kusht i rëndësishëm për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Europian". Aplikimi për këtë dokument ka filluar në 25 mars të këtij viti, fillimisht me Tiranën, për t’u shtrirë shumë shpejt në të gjithë vendin, ndërkohë që shpërndarja e këtij dokumenti filloi në 1 maj 2009. Pasaporta e re biometrike me vlerë 6000 lekë, është një dokument sipas të gjitha standarteve europiane, me elemente sigurie tepër të lartë. Ky dokument, mjaft i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, ndërsa i prezanton ata para kujdo si qytetarë të denjë, është i prodhuar në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, bazuar në Sistemin Automatik të Identifikimit të Shenjave të Gishtave (AFIS). Pasaporta biometrike, dokument i një sigurie tepër të lartë, ka një numër unik dhe përmban të dhëna demografike dhe biometrike, si portreti i plotë i aplikuesit, firma dixhitale si dhe shenjat e dhjetë gishtave të duarve.
...