Rama, edhe vetëm një javë në PS
Përpjekja për të destabilizuar situatën postzgjedhore nuk i ka dhënë asnjë rezultat. Pas numërimit të kutive të Fierit, atij do t’i duhet të njohë formalisht rezultatin e zgjedhjeve. Edhe nëse politika do ia falë mandatin e deputetit, Edvini duhet të pranojë humbjen e për shmangur zhburrërimin për herë të dytë - pasi herën e parë e hëngri turpin me bukë, kur nuk pranoi të tërhiqej nga bashkia – do t’i duhet të dorëhiqet nga PS-ja. E pas këtij momenti, për të do nisin andrallat me drejtësinë, andralla që shkojnë deri tek liria e tij personale
Edi Rama ka dalë dje në konferencë për shtyp, për të kërcënuar institucionet se do të bëjë namin e do të nxjerrë në shesh të gjithë kasnecët e vet, ku i ka e ku s’i ka, në Tiranë, në Pezë e gjetkë, nëse nuk do t’i falin një mandat deputeti në qarkun e Fierit. Pamjet tregonin gjendjen e tij të rëndë psikologjike dhe përçonin tek opinioni publik drojën se mund të presim edhe punë të këqija prej këtij palokryetari.
Por shyqyr Zotit, të gjitha të dhënat na kuadratojnë se ai do të jetë edhe vetëm një javë kryetar i PS-së, e më pas do t’i duhet të përballet me drejtësinë, që do të nisë hetime me më pak pengesa për aferat e tij, por edhe me qytetarët tiranas, të cilëve prej afro 10 vitesh u është dashur të përballen me arrogancën e tij si qytetar i parë i kryeqytetit. Kutitë e Fierit do të numërohen dhe për to ka një konsensus të gjerë politik, por marrim me mend se ç’kundërshti do të pjellë mendja e tij e rënë, kur rezultati në kutitë e votimit të mos ia japë prapë atë mandatin e deputetit... Vështirë, apo jo? Por edhe nëse do t’i falet ai mandat deputeti, për hir të stabilitetit të vendit, apo se sovrani ashtu ka vendosur, prapëseprapë Edvini do të përballet me dilemën për të vendosur. Pas shpalljes së verdiktit për Fierin, Rama do të bjerë brenda me fjalët e veta. Ai ka premtuar se do t’i njohë zgjedhjet në rast se i jepet mandati i Fierit (ta zemë se ia falëm), dhe pas këtij momenti automatikisht ai edhe ka pranuar humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Bien poshtë retorikat për standardet, por edhe keqpërdorimet e metodave të protestës, të cilat gjejnë shembuj vetëm tek orientalizma e Haxhi Qamilit. Pas numërimit të Fierit, Edvini do pranojë humbjen e zgjedhjeve e afërmendsh edhe duhet të mbajë fjalën e dhënë. Ai nuk u bë burrë për të dhënë dorëheqjen nga detyra e kryetarit të Bashkisë, pak para nisjes zyrtare të fushatës për zgjedhjet në Kuvend, por do të zhburrërohej krejt në rast se nuk do të dorëzonte edhe formalisht mandatin e kryetarit të partisë, para atyre që ai i quan forume të PS-së. Pra, edhe për vetëm një javë Edvini do të mund ta shtyjë diskutimin për fatin e tij politik. Për më tej, të flasësh për pension nuk është fort e saktë, pasi Edvinit po i ndodh një flakje nga politika. Ai synoi që t’i fitojë të gjitha, dhe siç thoshte dje edhe deklarata zyrtare e Partisë Demokratike, ai edhe përdori simbolikat e Sllobodan Milosheviçit, por pas një jave, ai nuk është më kryetar i PS-së, pas një jave ai nuk do të përfaqësojë më popullin e opozitës dhe pas një jave, Edvinit do t’i shtohen kundërshtarët dhe ata që do të mendonin se ai do të mund të kthehej triumfator në të njëjtën plevicë politike, janë krejt naivë. Pas një jave, Edvinit i nisin andrallat e vërteta, dhe ato janë andralla që kanë të bëjnë me lirinë e tij.