Kompensim pronarëve të tokave me ndërtime pa leje
TIRANE- Qeveria vendosi dje të dëmshpërblejë pronarët e pasurive të paluajtshme, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, Shkodrës, Vlorës dhe Elbasanit. Në total fondi i akorduar nga Këshilli i Ministrave kap shumën e rreth 252 milionë lekëve. Referuar vendimit në fjalë, sipërfaqja e zënë nga ndërtimet informale për të cilën është akorduar ky fond dëmshpërblimi në lek është 57 mijë e 377 m2, tokë truall. Shuma totale për shpërblimin e ish-pronarëve do të përballohet nga fondi i kompensimit të pronave, parashikuar nga ligji nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. Në përputhje me këtë vendim, qeveria ka përcaktuar Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të kryejë ndryshimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, për kalimin e pasurisë së paluajtshme të kompensuar, në pronësi të shtetit. Ndërkohë, në muajin qershor, qeveria miratoi vendimin për krijimin e fondit të kompensimit fizik. Përmes miratimit të këtij vendimi, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave iu vu në dispozicion një sipërfaqe prej 17.500 hektarësh, prona shtetërore të ish-ndërmarrjeve bujqësore si dhe institucioneve kërkimore të Ministrisë së Bujqësisë. AKKP-ja tashmë ka filluar verifikimin përfundimtar të pronësisë së truallit dhe për sipërfaqet që përfshihen brenda zonave kadastrale ku ka përfunduar procesi i regjistrimit fillestar, konfirmimin e bën Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP).
Ndarja e tokës
Brenda të njëjtit kuadër, Këshilli i Ministrave miratoi dje dhe nivelet e reja të pagave të titullarëve e specialistëve të komisioneve vendore të shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, pranë prefektit të Qarkut. Konkretisht, titullari i këtyre komisioneve tashmë e tutje do ketë një nivel page prej rreth 51 mijë lekësh në muaj, si edhe do të përfitojë afro 16 mijë e 500 lekë shtesë për kushte pune. Sa i përket specialistit, paga e tij do të jetë rreth 29 mijë lekë. Ndërsa shtesa për kushtet e punës ka për të qenë në vlerën e 10 mijë lekëve. Efektet financiare për vitin 2008, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, është përcaktuar nga Këshilli i Ministrave që të përballohen nga fondet shtesë që do të miratohen për këto komisione, në buxhetin e Ministrisë së Brendshme.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)