INTERVISTA/ Shkëlqim Cani: Sistemi aktual i pensioneve është Piramidë
Ish/guvernatori i Bankës së Shqipërisë, profesor Shkëlqim Cani analizon për gazetën Tema, problemet e ekonomisë shqiptare që nga sistemi i pensioneve, që sipas tij është i dështuar, tek roli i Bankës së Shqipërisë në situatën financiare të vendit duke e cilësuar atë si vasale të qeverisë dhe deri tek vizioni që ka opozita për ti zgjidhur problemet kyçe të ekonomisë shqiptare. Bashkëhartues i programit të ri të PS-së në paketën për ekonominë, Cani zbulon propozimet që PS-ja do ti shpalosë publikut për ringjalljen e biznesit të vogël e të mesëm. Sa për ngritjen e një godine të re parlamenti, e cila do të shtojë borxhin publik të Shqipërisë, Cani thotë se kjo iniciativë nuk tregon gjë tjetër veçse filozofinë popullore, fshati digjet …Kuvendi krihet
Intervistoi: Blerina Gjoka
Zoti Cani, po e nisim këtë intervistë me një çështje që ngriti tensionin e debatit publik kohët e fundit, një propozim i hedhur publikisht nga kryeministri i vendit për rritjen e moshës së pensionit. Megjithëse ky propozim ngrihej mbi arsyetimin se është rritur jetëgjatësia mesatare e shqiptarëve, shumë veta e shohin si një tentativë për ti shpëtuar dështimit të skemës së sigurimeve. Cili është mendimi juaj për këtë problem?
Skema aktuale e pensioneve është e dështuar në disa drejtime. Kryeministri hodhi një ide, që nuk ishte tjetër veçse një arnë e shëmtuar në pantallonat e grisura anembanë të sistemit shqiptar të pensioneve. U tërhoq shpejt se duket dikush e mësoi për gafën me autogol që bëri. Nga padija dhe nga mungesa e dëshirës për të zgjidhur përsëmbari dhe me themel pensionet, gjeti rrugëzgjidhje të thërrasë ekspertë të huaj që të jenë ata që propozojnë rregullime drastike me kosto për pensionistët (të sotëm dhe ata të nesërm), për shkak të gabimeve trashanike me pensionet që ka bërë kjo qeveri. Pra, kjo qeveri nuk del hapur të kërkojë ndjesë për futjen e pensioneve në rrugë pa krye, por kërkon të fshihet dhe nesër të argumentojë që janë ekspertët e huaj që propozojnë.
Nuk di nëse do të imponohet ose jo nga ndërkombëtarët kjo qeveri për të vepruar para vitit 2013, apo qeveria do të përdorë çdo mjet për tja ngecur reformën qeverisë së socialistëve në vitin 2013, por pensionet doemos do të reformohen një ditë, me kosto jo të pakta për qytetarin shqiptar, përfshirë dhe rritjen e moshës.
A mund të bëni një analizë shkurtër të sistemit aktual të sigurimeve dhe problematikës që ai përmban?
Për një analizë të detajuar teknike të çështjes së pensioneve do tju rekomandoja të mos hezitoni të kontaktoni një ekspert të fushës, i cili pa diskutim do tju bindë që gjendja është e rëndë.
Në mënyrë të përmbledhur mendoj tju radhis disa momente kritike që lidhen me sistemin e pensioneve në Shqipëri:
-Për nga vlera e parave që merr dhe madhësia e nevojave që përmbush një pensionist tek ne më saktë mund të quhet që merr asistencë sociale dhe jo pension. Shkurt nuk mund të përmbushë as minimumin e nevojave jetike.
-Skema aktuale mbledh më pak se paguan, tashmë prej vitesh në vlera të konsiderueshme, sidomos pas reformave të suksesshme të kësaj qeverie në këtë fushë?!!. Kjo në gjuhën popullore quhet piramidë.
-Skema është e deformuar dhe çdo ndërhyrje që është bërë e po bëhet nga qeveria vetëm e ka shpërfytyruar më tej atë. Skema thuaj se nuk ka asnjë nxitës për shtetasit për të paguar për pensionet, pasi në jo pak raste është pa përfitim për paguesin e ndershëm.
-Me skemën e pensioneve nuk ka transparencë as me përfituesin, as me paguesin, as me biznesin. Gjithçka është bazuar jo mbi transparencën, edukimin, bindjen dhe veprimin e përbashkët, por mbi dhunën dhe arbitraritetin.
-Qeveria nuk ka bërë as edhe një hap për plotësimin e reformës së pensioneve edhe me shtyllat e tjera.
-Mbi të gjitha kjo skemë pensionesh nuk ka as të ardhme të afërt as edhe të largët.
Kur vendet e eurozonës janë në krizë dhe situata nuk duket aspak e qetë në vendet me ekonomitë më të forta në Evropë, si Gjermania, si e shihni ekonominë shqiptare në këtë prizëm? (Ndërkohë që zyrtarisht na jepen shifra për rritje ekonomike të lartë, etj).
Për rastësi kjo pyetje më vjen tre vite pas daljes në media për ti kërkuar qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për të marrë masa ndaj krizës botërore që sapo kishte filluar të jepte sinjalet e para. Pa ndonjë dëshirë të veçantë për të paralajmëruar ballafaqimin e mundshëm me të keqen, që mund të vinte siç erdhi, bëra detyrën si shtetas i këtij vendi për të paralajmëruar dhe për të dhënë dhe sugjerime se çfarë mund e duhej bërë. Këto tre vjet kori i kukuvajkave mjerane, që nuk i kanë munguar historikisht Shqipërisë, më kot u mundua të argumentojë që ekonomia shqiptare nuk është si ajo amerikane apo europiane, por e veçantë dhe shumë më e suksesshme. Sot nuk ka më hapësira argumentimi nga ekspertët që jemi në krizë, pasi gjithçka është në kurrizin e çdo qytetari të thjeshtë apo biznesmeni. Por ata nuk duhet të harrojnë që barrën e krizës ua rëndoi me qëllim kjo qeveri e papërgjegjshme, në ndonjë rast e mbështetur dhe nga ekspertë, që fatet e ekonomisë i lidhin pas përfitimeve personale nga lehjet në favor të qeverisë.
Meqë kriza do të vijojë me sa duket edhe për një periudhë në ekonominë tonë dhe nga frika se po ta lidhim edhe me atë europiane, përsëri qeveria do të na kundërshtojë, le të biem dakord të shprehemi që këtë radhë ekonomia jonë do të ndikohet nga kriza në Togo a Somali, në mënyrë që të pranohet nga qeveria dhe te marrë masa shumë më serioze antikrizë. Mosveprimi, tashmë i zgjatur i kësaj qeverie e ka dëmtuar dhe do e dëmtojë edhe më tej ekonominë, biznesin e shtetasin shqiptar.
Zoti Cani, ju keni qenë guvernator i Shqipërisë në një mandat të plotë. Si i vlerësoni politikat aktuale të Bankës së Shqipërisë, në mbajtjen e normës së interesit, defiçitit, kontrollin mbi sistemin bankar, etj?
Vetëflijimi i pavarësisë së Bankës së Shqipërisë nga administratorët e saj është një goditje e rëndë për veprimtarinë e deritanishme dhe të ardhme të këtij institucioni, por me pasoja e dëme për gjithë ekonominë shqiptare. Ju them me bindje që nëse Banka e Shqipërisë nuk do të ishte kthyer në vasale të turpshme të qeverisë, në shkelje të ligjit të saj, ne sot do të kishim interesa më të ulëta për kreditë që secili nga ne ka marrë, do të kishim deficit dhe borxh më të ulët dhe shumë më në kontroll, sistem bankar edhe më të sigurt dhe më eficent, shërbime bankare më të larmishme dhe me kosto më të ulët për secilin nga ne, ekonomi më të zhvilluar dhe mirëqenie më të lartë.
Flitet shpesh për borxhin publik, për kredi të mëdha me interesa të larta që qeveria shqiptare merr për të bërë rrugë, apo si fjala vjen një parlament të ri. Sipas jush sa problematik është niveli aktual i borxhit në Shqipëri dhe sa u rëndon ai shqiptarëve? A është normale për një ekonomi të vogël që të vazhdohet në këtë rrugë, pra të marrjes së borxheve?
Kësaj pyetje mund ti përgjigjesha edhe gjatë, por preferoj të jap një përgjigje të shkurtër e më të drejtpërdrejtë: ekonomia shqiptare digjet, k(Kuvendi) krihet. Nëse janë vërtet këto para në buxhetin e këtij viti apo parashikohen në ato të vitit tjetër i sugjeroj parlamentarëve që e gjithë kjo shumë të shkojë për mbështetjen e shoqërive financiare që kreditojnë biznesin e vogël e të mesëm dhe sidomos në fshat, për të nxitur sadopak ekonominë dhe mbështetjen sociale të shoqërisë, pasi papunësia, varfëria dhe mungesa e mbështetjes për biznesin e vo