Korrupsioni, Sfida e Mijëvjeçarit: Shqipëria mbi mesataren
Korporata Sfida e Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation) kualifikon për herë të parë Shqipërinë mbi mesataren e të gjitha vendeve të cilat përfitojnë nga kjo korporatë, në luftën kundër korrupsionit. Sipas një njoftimi të Këshillit të Ministrave, në klasifikimin e hartuar nga Korporata (Scorecard 2010), klasifikim ky i përvitshëm, në indikatorët mbi Kontrollin e Korrupsionit, Shqipëria për herë të parë renditet me 53%, mbi vijën mesatare të përcaktuar nga Korporata, si një indikator thelbësor për politika efikase të qeverisë në luftën kundër korrupsionit në vend. Vendet përfituese të programeve të ndihmës nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit vlerësohen për nivelin e korrupsionit në qeverisjen e të gjitha niveleve, efektin e korrupsionit në të bërit biznes, frekuencën e “ryshfeteve” në kontratat publike, taksat, vendimet gjyqësore etj, nepotizmin në shërbimin civil, vendosmërinë dhe forcën e ligjeve, politikave të qeverisë kundër korrupsionit, besimin e publikut në ndershmërinë e institucioneve financiare dhe te politika, etj. “Një arritje kaq pozitive, për të parën herë për Shqipërinë, në koeficientët e Scorecard 2010 në Kontrollin e Korrupsionit, e afrojnë Shqipërinë me pjesën e mëtejshme të asistencës së Korportatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, fazën “Compact”, e cila është një marrëveshje disa vjeçare mes Korportatës së Sfidës së Mijëvjeçarit dhe vendeve të përzgjedhura, në bazë të arritjeve të tyre në disa fusha duke financuar programe specifike për uljen e varfërisë dhe stimulimin e rritjes ekonomike”, thuhet në njoftimin për shtyp.