IPI i shqetësuar për lirinë e shtypit në projektligjin italian
Instituti ndërkombëtar i Shtypit (IPI), në një komunikatë të publikuar në selinë e Vjenës u kërkoi deputetëve italianë të mos miratojnë një projektligj që synon zvogëlimin e lirisë së shtypit dhe që është paraqitur nga ministri i Drejtësisë Angelino Alfano. IPI shqetësohet sidomos për ashpërsinë e dënimeve që jepen, deri tre vjet burg dhe 465 000 euro gjobë në rast mosrespektimi të dispozitave të ligjit të ri, që aktualisht po diskutohet në senatin italian.
Ky projekt synon sidomos t'u ndalohet gazetarëve të japin llogari për hetime policore për sa kohë ato nuk kanë përfunduar, mësohet nga komunikata e IPI-t. Gazetarët kanë denoncuar së fundi disa raste korrupsioni duke publikuar pikërisht disa regjistrime të bisedave të siguruara në rrugë të paligjshme. "Nëse ky ligj do të ishte zbatuar përpara disa vjetëve, atëherë popullsisë italiane do t'i duhej të priste disa vjet për publikimin e emrave të investitorëve të përfshirë në skandalin Parmalat", njoftoi presidenti i shoqatës së shtypit italian Roberto Natale, i cituar në komunikatë.