IQT: Nafta e ARMO-s, me përmbajtjen e squfurit brenda parametrave
Dy ditë më parë drejtori i kompanisë ARMO, Rezar Taçi, njoftoi se kjo kompania ka hedhur në treg naftë të cilësisë së lartë apo eurodizel. Sipas Taçit, nafta ka cilësi të lartë dhe se përmbajtja e squfurit në të është brenda parametrave. Menjëherë pas këtij deklarimi, Inspektorati Qendror Teknik ka konstatuar në analizat e bëra prej tij se nafta e kompanisë ARMO përmban squfur brenda parametrave. Inspektorati Qendror Teknik ka kryer dje analizat e naftës së prodhuar nga ARMO. Sipas specialistëve të këtij inspektorati, për të kryer analizën është marrë kampion nga rezervuari 51 i Rafinerisë së Ballshit, ku sasia është rreth 1100 ton. Pas analizës së kryer në laboratorët e inspektoratit, rezulton se përmbajtja e squfurit është 132 miligramë për kilogramë ose ppm, rezultat ky që është brenda parametrit të lejuar sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 147, datë 21.3 2007, “Për cilësinë e lëndëve djegëse benzinë dhe diesel”. Tre muaj pas privatizimit, kompania ARMO hedh në treg për herë të parë pas 30 vjetësh naftën e cilësisë së mirë, e njohur ndryshe si eurodizel. Nafta vendase ka një përqindje shumë të vogël squfuri, çka bën që cilësia e saj të jetë shumë më e mirë se eurodizeli i importit.