E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli me nxënësit, për rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve



Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Genc Ruli, ka zhvilluar dje një takim me përfaqësuesit e qeverive të nxënësve të shkollave të mesme të Tiranës, për t’i njohur ata me ligjin e ri të Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe në përgjithësi me kuadrin ligjor për sigurinë e produkteve. Ky takim i organizuar në Ditën e Konsumatorëve është vetëm fillimi i një fushatë të gjerë ndërgjegjësuese që do të vazhdojë në qytete të tjera të Shqipërisë. Në vijim, kjo fushatë do t’i adresohet grupeve edhe më të gjera të interesit, përfshirë prodhuesit, importuesit dhe tregtarët në qytetet kryesore të Shqipërisë. Kjo, sepse Shqipëria tashmë ka një kuadër të ri ligjor të harmonizuar me atë të BE-së, i cili kërkon një ndryshim të mentalitetit të shoqërisë shqiptare, si të operatorëve ekonomikë, ashtu edhe të konsumatorëve apo përdoruesve të fundit. Për këtë qëllim u mendua që kjo fushatë sensibilizimi për njohjen e të drejtave si konsumator, të niste me të rinjtë e Tiranës, që siç u theksua edhe në takim, mund të shërbejnë si përcjellësit më të mirë të këtij mesazhi te shokët dhe prindërit e tyre. Dhe këtë nuk mund ta bëjë asnjë më mirë se ata që janë me një mentalitet të prirur drejt së resë dhe zhvillimit. Një nga qëllimet kryesore të takimit ishte që nxënësit pjesëmarrës të merrnin gjithkush një sasi fletë-palosjesh informimi për ta shpërndarë te shokët në shkollë dhe prindërit e tyre, duke shërbyer kështu si lajmëtarët më të mirë të mesazhit. Ligji i ri përmban një sërë masash që i shërbejnë konsumatorit si: etiketa e mallit duhet të përmbajë informacionin e nevojshëm për identifikimin dhe përdorimin e tij, dhe të jetë në gjuhën shqipe; malli duhet të ketë të shënuar çmimin, në mënyrë të qartë, të shprehur në lekë, të vendosur në vetë produktin apo në raftet e tregtimit të tij. Shitja e mallit apo ofrimi i shërbimit duhet të shoqërohen me dhënien e kuponit tatimor, marrja e kuponit nga konsumatori është njëkohësisht dhe një detyrim për të. Instruksionet e përdorimit të mallit duhet të jepen në gjuhën shqipe. Nëse malli i blerë nuk funksionon në mënyrën e duhur, apo nuk është ai që pritej, mund të kesh mallin e riparuar apo të zëvendësuar pa pagesë, ose një ulje të çmimit apo kthimin e plotë të shumës së paguar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›