Zgjedhjet në Maqedoni, garë dyfish e tendosur
Struga dhe rajoni i saj pritet të jenë pika më e nxehtë e zgjedhjeve presidenciale dhe për pushtet vendor në Maqedoni, që do të mbahen të dielën, më 22 mars. Për kryetar të Komunës së Strugës konkurrojnë Ramiz Merko i BDI-së, kryetari aktual, Mendi Qyra i PDSH-së, Xhevdet Nasufi i Demokracisë së Re, Fiat Canovski i PEI-së, i mbështetur nga LSDM-ja dhe Sllavko Kotevski i VMRO-DPMNE-së, por gara më e madhe për hyrje në rrethin e dytë zgjedhor, megjithatë, do të zhvillohet në baza etnike dhe ajo mes shqiptarëve të shpërndarë në tri fronte dhe maqedonasve në dy vija partiake.
Gjasat më të mëdha, bile sipas analizave të deritashme, për të hyrë në rrethin e dytë zgjedhor i kanë Ramiz Merko i BDI-së, Fiat Canovski i PEI-së e LSDM-së dhe Sllavko Kotevski i VMRO-DPMNE-së, ndërsa në rrethin e dytë, por edhe tash ka shenja se gara mund të zhvillohet edhe në baza fetare.
“Sot o kurrë, kujtohu për Strugën dhe në emër të kryqit bëj zgjedhjen më të mirë”. Kështu thuhet në një pamflet që iu shpërnda këto ditë struganëve maqedonas, përmes të cilit maqedonasve u bëhet thirrje që ta votojnë të vetmin maqedonas që është në listën e kandidatëve, që do të thotë ta votojnë Sllavko Kotevskin e VMRO-DPMNE-së. Në këtë rast, ka reaguar deri më tash i vetmi Fiat Canovski, i përkatësisë etnike torbeshe, i cili ka thënë se nuk e ka të qartë se a po zgjidhet në këto zgjedhje në Strugë popi a hoxha i Strugës apo kryetari i kësaj komune.
Kandidatët shqiptarë sigurojnë cenzusin për zgjedhje të suksesshme
Në Maqedoni më 22 mars mbahen njëkohësisht zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet vendore për 84 komunat dhe Shkupin si kryeqytet i vendit, për të cilat po konkurrojnë 7 kandidatë presidencialë, mbi 700 për kryetarë të komunave e për qytetin e Shkupit dhe disa mijëra për këshilltarë komunalë dhe në Kuvendin e Qytetit të Shkupit.
Në zgjedhjet e katërta presidenciale të Maqedonisë po konkurrojnë tre kandidatë shqiptarë: Agron Buxhaku i BDI-së, Mirushe Hoxha e PDSH-së dhe Imer Selmani i Demokracisë së Re dhe 4 maqedonas: Gjorgji Ivanov i VMRO-DPMNE-së, Lubomir Fërçkovski i LSDM-së, Nano Ruzhin i PLD-së dhe Lube Boshkovski, i pavarur. Zgjedhjet, rrethi i parë i të cilave mbahet këtë të diel, do të zhvillohen në 2.973 vendvotime të 6 njësive zgjedhore dhe në to të drejtën e votës e gëzojnë 1.792.082 zgjedhës nga rreth 2 milionë e 50 mijë banorë sa i ka ky vend.
Për të qenë të suksesshme zgjedhjet presidenciale, në to duhet të votojnë 40% plus një votues ose së paku 716. 833 votues.
Në rrethin e parë zgjedhor zgjedhjet i fiton kandidati që siguron 50% plus një votë të numrit të votuesve që kanë dalë në zgjedhje. Nëse jo, atëherë dy kandidatët që kanë siguruar më së shumti vota, shkojnë në rrethin e dytë zgjedhor, që duhet të mbahet pas dy javësh.
Gara më e madhe për postin e Presidentit të Maqedonisë do të zhvillohet mes tre kandidatëve maqedonas, dy të dalë nga VMRO-DPMNE-ja, Gjorgji Ivanov dhe Lube Boshkovski, tani i pavarur, dhe Lubomir Fërçkovskit, të cilët me të gjitha forcat do të përpiqen të hyjnë në rrethin e dytë zgjedhor.
Sa u përket kandidatëve shqiptarë dhe partive që i kanë propozuar ata, kjo garë kryesisht do të zhvillohet për mbrojtje të votës partiake (BDI dhe PDSH) apo për të siguruar ndonjë votë sa më shumë (partia e re e Imer Selmanit), pasi asnjëri prej tyre nuk ka gjasa reale për të hyrë në rrethin e dytë zgjedhor, kur duhet dhe të zgjidhet Presidenti i ardhshëm i Maqedonisë.
Pjesëmarrja e tyre në gara, sa u përket maqedonasve dhe Maqedonisë, ka dhe një element pozitiv, sepse me daljen e tyre nuk vjen deri te bojkoti i votës shqiptare në Maqedoni, që do të zvogëlonte përqindjen e pjesëmarrësve në zgjedhje dhe nëse nuk do të sigurohej cenzusi prej 40 për qind, zgjedhjet presidenciale do të dështonin.
Presidenti i parë i Maqedonisë së pavarur ka qenë Kiro Gligorov, i cili në këtë post u zgjodh nga Kuvendi i Maqedonisë, ndërsa zgjedhjet e para presidenciale në Maqedoni janë mbajtur në vitin 1994, kur Gligorovi e siguroi edhe mandatin e dytë presidencial pesëvjeçar dhe President ishte deri në vitin 1999.
Në zgjedhjet e dyta presidenciale fitoi Boris Trajkovski, i cili vdiq më 26 shkurt të vitit 2004 në një aksident ajror rrugës për në Sarajevë.
Në zgjedhjet e treta presidenciale fitoi Presidenti aktual Branko Cërvenkovski, lider i atëhershëm i LSDM-së.
Zgjedhjet – provim i maturimit për Maqedoninë
Në Maqedoni njëkohësisht mbahen edhe zgjedhjet për pushtetin vendor, kryetarët dhe kuvendet e 84 komunave dhe për kryetarin dhe Kuvendin e Qytetit të Shkupit, në të cilat konkurrojnë rreth 700 kandidatë partiakë dhe të pavarur për kryetarë komunash dhe rreth 7 mijë kandidatë për këshilltarë të kuvendeve të komunave dhe për Kuvendin e Qytetit të Shkupit.
Krahas garës së pritshme të ashpër e të tensionuar për postin e kryetarit dhe për këshilltarët e Komunës së Strugës, që pritet të jetë me elemente etnike, interesante do të jetë edhe gara për Komunën e Strumicës, ku kandidatë janë lideri i përkohshëm i LSDM-së, Zoran Zaev, dhe Silvana Boneva, njëra ndër prijëset e VMRO-DPMNE-së.
Sa u përket komunave të tjera me shumicë shqiptare, krahas Strugës, një garë e madhe do të zhvillohet edhe në Gostivar, mes Nevzat Bejtës të BDI-së dhe Rufi Osmanit, kandidat i pavarur, ndërsa në Tetovë mes Hazbi Likës nga BDI-ja, që është dhe aktualisht kryetar komune, dhe prof. dr. Sadi Bexhetit të PDSH-së, aktualisht rektor i UT-së, kurse për kryetar të Dibrës garojnë kryetari aktual nga radhët e BDI-së, Argëtim Fida dhe Petrit Klenja i PDSH-së. Ndërsa pak a shumë gara më normale do të zhvillohen kësaj radhe edhe në Saraj, ku pritet bindshëm të fitojë Blerim Bexheti i BDI-së dhe në komunat e Jegunovcit, Vrapçishtit, Studeniçanit, Mavrovë-Rostushë, Bërvenicë, Bogovi, Zhelinë, Haraçinë, Tearcë, Likovë, Osllome dhe Zajaz.
Shqiptarët me kandidatët e tyre do të mundohen ta fitojnë dhe Dollnenin dhe Çashkën e Sopishtën, ndërsa kandidatë për të fituar sa më shumë këshilltarë do të kenë edhe në Kërçovë, Resnjë, Manastir, Zelenikovë, Kumanovë, Butel, Gazi-Babë, Petrovec, Pllasnicë, Dimir-Hisar, Shuto-Orizare, Çuçer-Sandevë, Ohër, Veles, Krushevë dhe në Qytetin e Shkupit, ndërsa për kot kandidatë kanë edhe në Shtip.
Rregullshmërinë e këtyre zgjedhjeve presidenciale dhe për pushtetin vendor të Maqedonisë do ta përcjellin të gjitha mediat vendëse dhe më shumë gazetarë të huaj si dhe rreth 7 mijë vëzhgues të brendshëm e mbi 5 qind ndërkombëtarë, nga të cilët rreth 300 janë të ODHIR-it dhe OSBE-së, rreth 50 të ambasadës amerikane në Shkup, të KE-së të BE-së etj.
Edhe në këto zgjedhje, si edhe të mëparshmet, si problem po paraqitet një numër i madh i votuesve fiktivë nëpër shumë komuna, sidomos të Maqedonisë Lindore, ku në disa numri i votuesve del të jetë më i madh se vetë numri i banorëve të tyre.
Kështu, Maqedonia me rreth 2 milionë e 50 mijë banorë në këto zgjedhje ka një trup zgjedhor prej 1.792.082 zgjedhësish, që do të thotë se në këtë vend të drejtën e votës e kanë 87,6 për qind e popullatës, që duket të jetë një absurd.
Për këto të dhëna është alarmuar edhe OSBE-ODHIR-i. Këto shifra kërcënojnë të sjellin në pyetje rregullsinë e zgjedhjeve, sepse mbikëqyrësit e jashtëm paralajmërojnë se ekziston palogjikshmëri serioze në raportin mes numrit të banorëve dhe numrit të votuesve.
Edhe pse fushata e deritashme parazgjedhore, si për zgjedhjet presidenciale, ashtu dhe për ato vendore është zhvilluar brenda normales sonte pritet të mbahen edhe tubimet përfundimtare parazgjedhore të tyre. Për zgjedhjet në Maqedoni me rëndësi është që të zhvillohen si korrekte, të drejta dhe pa incidente, se ato po cilësohen dhe si një provim mature për këtë vend në rrugën e tij drejt integrimeve euroatlantike, ku për pengesë kishte jo vetëm moszgjidhjen e kontestit për emrin, por edhe zhvillimin e zgjedhjeve të mëparshme me plot incidente.
KQZ-ja e Maqedonisë ka njoftuar se tashmë gjithë materiali zgjedhor u është dorëzuar Komisioneve Komunale Zgjedhore, ndërsa për të shtunën ka paralajmëruar votimin e mbi 500 peronave të zhvendosur, kryesisht maqedonas nga rrethina e Kumanovës dhe të 1971 personave që janë në vuajtje të dënimeve me burg apo të paraburgosur.
Të dielën, më 22 mars, vendvotimet do të hapen në ora 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në ora 19. Rezultatet paraprake, nga OJQ MOST dhe shtabet partiake mundë të priten diku kah mesnata apo në orët e para të 23 marsit