HIV-AIDS Studimi: Të infektuarit, frikë nga shoqëria
I fshehin sëmundjen familjes dhe shoqërisë për hir të opinionit, refuzojnë të kurohen nga frika e diskriminimit, duke i mohuar vetvetes trajtimin mjekësor. Për herë të parë, një studim i zhvilluar nga Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare (QKSHK) pasqyron anën tjetër të personave të prekur me HIV /AIDS. Ndjesitë e tyre, frika ndaj sëmundjes i çon deri në mohimin e saj, pasiguria për të ardhmen dhe stigma e diskriminimi që u ofron shoqëria. Studimi i QKSHK-së trajton nevojat psiko-sociale-mjekësore të personave me HIV/AIDS. Liljana Dango, drejtore ekzekutive e kësaj qendre, shpalos për “standard” qëllimet e këtij studimi dhe rezultatet e tij.
Studimi
“Studimi pati si qëllim kryesor vlerësimin e nevojat për shërbime të personave që jetojnë me HIV/AIDS, pengesat që hasen në marrjen e këtyre shërbimeve dhe mangësitë në ofrimin e tyre. Nga ana tjetër, ne synuam që përmes tij t’u ofrojmë institucioneve përgjegjëse për hartimin e politikave apo shërbimeve për këta persona, të dhëna konkrete rreth nevojave të personave që jetojnë me HIV/AIDS në përpjekjen e tyre për të forcuar dhe përshkallëzuar ndërhyrjet ekzistuese apo për të ndërmarrë iniciativa të reja që kanë për qëllim të përmirësojnë jetën e personave që jetojnë me HIV/AIDS”, – shprehet znj. Dango. Studimi u shtri në 12 qytet kryesore të vendit, në të përfshiu 45 persona të infektuar që jetojnë me HIV-AIDS prej të cilëve 37 të infektuar dhe 8 prindër të fëmijëve të infektuar. Janë pyetur gjithashtu 22 punonjës të shëndetësisë, 20 punonjës socialë dhe 9 vendimmarrës. Në përfundim të studimit rezultoi se 68 për qind e të intervistuarve raportojnë se qëndrimet e njerëzve të afërt kanë ndryshuar në momentin që ata kanë mësuar për statusin HIV pozitiv të tyre. Megjithëse të gjithë pacientët me AIDS janë nën mjekim falas me antiretroviralë të administruar nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, 56 për qind e intervistuar raportojnë se disa herë e kanë ndërprerë mjekimin për periudha të shkurtra. Disa nga arsyet e ndërprerjes së terapisë kanë qenë: vështirësitë gjatë sigurimit të terapisë ARV dhe zvarritje në procedurat e marrjes së medikamenteve. 100 për qind e të intervistuarve i kanë siguruar privatisht medikamentet për infeksionet, ndonëse ligji e parashikon që këto medikamente të rimbursohen nga shteti. Niveli i lartë i stigmës dhe diskriminimit për shkak të zbulimit të statusit të tyre HIV pozitiv është arsyeja kryesore që ata nuk shkojnë të marrin mjekimet për infeksionet oportuniste pranë mjekut të familjes. Jeta e personave që janë bartës me HIV/AIDS do të jetë më e mirë nëse ata do të kenë mbështetjen e duhur dhe aderojnë në rrjete sociale. 78 për qind e të pyeturve raportojnë se kanë nevojë të flasin me një psikolog dhe 58 për qind e rasteve raportojnë se duan të komunikonin me persona të tjerë HIV pozitiv. Më tepër se një e katërta e të pyeturve nuk e ka deklaruar statusin HIV dhe për më tepër kishim një punonjëse seksi që vazhdonte të ushtronte profesionin e saj.
Mjekët
Nga studimi ka rezultuar diçka e papritur. Kështu, rezultoi se mjeku i familjes në Tiranë dhe rrethet e tjera nuk ka informacion të plotë për këtë fushë. Ndërsa për shkak të mungesave të disa medikamenteve disa pacientë kanë ndërprerë trajtimin me ARV, gjithashtu edhe për shkak të distancës së madhe që kanë ata me QSUT-në, mërzitja që i shkakton pacientit marrja e përditshme dhe numri i madh i tabletave që duhet të marrë pacienti gjatë 24 orëve. Siç vlerësohet edhe nga studimi, vazhdon të ekzistojnë vështirësi në referimin e këtyre pacientëve, kur kanë probleme jashtë shërbimit infektiv, specialistë të tjerë i anashkalojnë, shmangin, stigmatizojnë, ofrimi i mbështetjes sociale është i mangët.
Punonjësit socialë
Specialistët e shkencave sociale e shikojnë me shqetësim refuzimin e shoqërisë ndaj personave që jetojnë me HIV/AIDS dhe 35 për qind e tyre pranojnë se ky reagim ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në përkeqësimin e kushteve psiko-fizike të këtyre personave. Shumica e tyre pranojnë se duhet të ketë politika gjithëpërfshirëse, jo diskriminuese, që ndihmojnë këta persona të jetojnë me dinjitet dhe të integruar në shoqëri. Ndërsa ofrimi i shërbimeve më të mira spitalore të kombinuara me një mjedis të ngrohtë familjar dhe shërbime komunitare, shihen si kushtet më të përshtatshme që do të ndihmojnë personat që jetojnë me HIV të përballojnë pasojat e infeksionit.
Rekomandimet
Nisur edhe nga rezultat e studimit, znj. Liliana Dango shpreh domosdoshmërinë e aplikimit të disa masave të reja. Ajo thotë se ka nevojë për një fushatë kombëtare që të adresojë të gjitha nivelet e shoqërisë për të ulur stigmën dhe diskriminimin duke luftuar nëpërmjet një monitorimi rigoroz të zbatimit të ligjit. “Duhen trajnuar stafi psiko-social dhe duhet të forcohet lidhja e kësaj klinike me spitalet e pediatrisë dhe atë infektiv. Shikohet e domosdoshme gjetja e mekanizmave të referimit efikas në strukturat e Kujdesit Shëndetësor Parësor në mënyrë që identifikimi dhe trajtimi i infeksioneve oportuniste të mbulohet 100 për qind”, - shprehet Dango. Në kuadër të kësaj propozohet hartimi i politikave lokale që të ndihmojnë familjen, skema ekonomike apo shërbime sociale për këshillimin e anëtarëve të familjes, në mënyrë që të sëmurët që jetojnë të përfitojnë shërbimet në qytetet e tyre ku ata banojnë ose të mbulohen shpenzimet e nevojshme duke qenë se një pjesë e tyre kanë edhe vështirësi ekonomike.
Mjekët: Frika e infektimit nga personat me HIV/AIDS
Janë rreth 86 për qind e personelit mjekësor që shprehen se kanë frikë kur kujdesen për një person të infektuar me HIV/AIDS. Punonjësit e shëndetësisë raportojnë që frika e tyre lidhet me mundësinë e ndodhjes së një gabimi aksidental gjatë manipulimit me instrumente gjatë punës, mundësisë për shpim aksidental si dhe kirurgjia me këta pacientë e bën të rrezikshme praktikën e punës
Rreth 45 për qind e personelit mjekësor raportojnë se ndryshojnë qëndrimet e tyre në momentin që ata mësojnë se kanë të bëjnë me një pacient të infektuar me HIV/AIDS. Ndryshimet e qëndrimit lidhen me pasigurinë dhe mungesën e informacionit se cilat janë veprimet për të zvogëluar apo eliminuar mundësinë e infektimit nga virusi HIV.
Kjo pasiguri e personelit mjekësor shpesh reflektohet edhe tek personat që jetojnë me HIV/AIDS, të cilët fillojnë të ndihen keq dhe të stigmatizuar 27 për qind raportojnë se përdorin masa mbrojtëse gjatë manipulimeve ndërkohë që marrin vesh se personi për të cilin po kujdesen është HIV pozitiv, ndërsa 18 për qind nuk japin asnjë përgjigje në lidhje me ndryshimin e qëndrimeve ndonëse raportojnë ndryshimet. Frika është një nga ndjenjat kryesore që përjetohet për shkak të mungesës së informacionit dhe kushteve të nevojshme për ofrimin e shërbimeve për personat që jetojnë me HIV/AIDS dhe kjo sjell si rezultat mosofrim të shërbimeve, ofrim të shërbimeve të pjesshme apo jo adekuate paragjykim dhe diskriminim që pengojnë personat që jetojnë me HIV/AIDS të kërkojnë shërbimet apo mbështetjen e nevojshme.
Somario
Deri në mars të vitit 2008 në Shqipëri janë regjistruar 261 raste të infeksionit me HIV, me 44 raste të shfaqura vetëm gjatë vitit 2007. 90 raste kanë manifestuar HIV/AIDS dhe 56 prej tyre kanë vdekur. 91 për qind e personave të infektuar janë heteroseksualë dhe 12 për qind janë homoseksualë. Në Shqipëri ka një tendencë të feminizmit të fenomenit të sëmundjes nga 19 për qind që ishte në 2002, në 23 për qind në 2003 dhe në 40 për qind në 2004 dhe 33 për qind në 2007. Afërsisht 74 për qind e këtyre personave janë të moshës 34 vjeç ose edhe më të reja me një tendencë në rritje në grupmoshën 15-24 vjeç. Popullatat migruese kanë një nivel më të lartë të infektimit me HIV sesa pjesa tjetër.