E Diel, 1 Nëntor 2026

IQT informon Priftin: Ndëshkuam subjektet e tregtimit të karburanteve që kryen shkelje

Tiranë, 26 janar NOA - Inspektoriati Qendror i
Tiranës, ka informuar sot ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan  Prifti mbi kontrollin e ushtruar në subjektet
e tregtimit të karburanteve gjatë vitit 2009.

Gjate një kontrolli me qëllim respektimin e
kushteve dhe normave teknike të sigurisë, zotërimin e dokumentacionit ligjor për
ushtrimin e aktivitetit, plotësimin e standardeve të cilësisë, janë investiguar
shkelje apo parregullsi të ndryshme.

Ky kontroll u ushtrua në 300 stacione të
tregtimit të karburanteve për automjete, 14 shoqëri të tregtimit me shumicë të
gazit të lëngëzuar të naftës, 12 shoqëri të tregtimit me shumicë të
karburanteve dhe 26 njësi të tregtimit të bombolave.

Janë kapur shkelje të tepërta në
mosrespektimin e kushteve dhe normave teknike të sigurisë dhe të standardeve të
cilësisë së karburanteve, duke shkaktuar bllokimin e pikave të shitjes në 80
autogaze, 26 stacione të tregtimit të karburanteve si edhe 105 raste të
trajtuara me masë ndëshkimore për gjobë. Gjithashtu janë konfiskuar 350 bombola,
bllokuar 26 njësi të mbushjes së bombolave, etj raportoi IQT.

IQT, informoi Priftin se nga dt. 21.12.2009 ka
filluar riinspektimi i pikave të bllokuara, duke paralajmëruar subjektet se në
rast thyerje të bllokimit, do të propozohet heqja e lejes së veprimtarisë.

Gjithashtu nëse do të vërehen raste të veçanta
ku do të konstatohen veprimtari të paligjshme dhe në rrezik për jetën e
komunitetit do të behën kallëzime për ndjekje penale.

k.k/NOA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›