IREX: Qeveria bleu Panoramën, GSH dhe News 24, gazetarët e pavarur janë specie në zhdukje
Organizata e njohur amerikane, IREX, (International Research & Exchanges Board), që kujdeset për median, shoqërinë civile dhe edukimin, ka publikuar raportin vjetor për Qëndrueshmërinë e Medias. Në raport theksohet se Shqipëria ka shënuar rënie në krahasim me një vit më parë. Në raport thuhet se në vend që të ruhej e të forcohej pavarësia e mediave, ka ndodhur e kundërta. Një numër në rritje i mediave kanë rënë në varësi të partive politike, kryesisht të qeverisë. Tani gazetarët dhe mediat e pavarur janë një specie e rrallë, gati drejt zhdukjes, thuhet në raport.
Raporti thekson se kanë qenë tre ngjarje të rëndësishme politike të vitit që kanë ndikuar edhe në përkeqësimin e situatës së medias në Shqipëri.
Së pari ishin ngjarjet e 21 janarit. Më 21 janar, ushtarët e Gardës Republikane vranë katër qytetarë që po protestonin paqësisht kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Sali Berisha, thuhet në raport.
Së dyti, zgjedhjet lokale. Fitorja e dyshimtë e Lulzim Bashës në garën për kryebashkiak në Tiranë e thelloi më shumë krizën. ODIHR po ashtu hodhi dyshime për marrjen e mandatit dhe deklaroi se zgjedhjet lokale nuk plotësuan të gjithë standardet ndërkombëtare, thuhet në raport.
Dhe finalja, mosmarrja e statusit kandidat. Në raport theksohej progresi i kufizuar në luftën ndaj korrupsionit, kultura e pandëshkueshmërisë që rrethon dukshëm zyrtarët e lartë të qeverisë, thuhet në raport.
Në raport thuhet se të gjithë palët tentojnë të blejnë median, por sigurisht qeveria mbizotëron pasi zotëron jo vetëm fondet publike, por edhe mundësinë për tu ofruar pronarëve të mediave privilegje korruptive. Nuk është një koincidencë që shumica e mediave, që ishte e pavarur ose neutrale si Panorama, Gazeta Shqiptare dhe News 24, tani i shërbejnë qeverisë. Sipas një delegacioni të Parlamentit Europian që vizitoi Shqipërinë vjet, vetëm dy media janë të pavarura.