E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfehen në sallën e gjyqit krimet makabër të bandës së Lushnjës



Laureta Rryçi

Tiranë - Seanca gjyqësore e radhës për bandën e Lushnjës ka vijuar dje për pesë orë me radhë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Fillimisht, prokurorët e çështjes lexuan deklarimet e katër dëshmitarëve: Kadri Gjoni, Pëllumb Beqiri, Jorgjie Gjini dhe Ermira Kaja. Më pas, seanca ka vazhduar me dëshmitarët që kishin ardhur nga lushnja: Izet Kurti, Mazllëm Kasi, Dervish Arapi, Afërdita Mërtiri, Bajame Cekani dhe Gramoz Demiri. Dëshmitarët kanë qenë të afërm të viktimave që presupozohet nga prokuroria të ekzekutuar nga anëtarët e bandës së Lushnjës. Izet Kurti ka dëshmuar se ka qenë te vendi i vrasjes së Genci Kasharit pasi kishte shtëpinë aty afër. Kurti ka dëshmuar se ka parë vëllain e Aldo Bares, Ramadanin, të gjakosur te makina, ende pa vdekur. Pastaj nga distanca ka parë si janë qëlluar të dy këta nga afër. Kurti, teksa po kalonte një ditë pranë bashkisë së qytetit, i ka thënë Erion Cicit “hajde se të kërkon i madhi (për Aldo Baren)” dhe më pas e kanë futur në një ofiçinë dhe e kanë rrahur disa nga anëtarët e bandës së Lushnjës duke i thyer dhe duart.
Dëshmia e ish-policit
Në një nga deklarimet që lexoi dje prokurori i dosjes ishte dhe deklarata e dhënë nga ish-polici Pëllumb Beqiri. Këtij të fundit banda e Lushnjës i kishte ekzekutuar xhaxhain. Sipas deklarimeve të dhëna, Beqiri njihej me një Enver Rabija, anëtar i bandës. Rabija i pati thënë ish-policit: “Xhaxhai yt, Idajet Beqiri, u vra gabimisht pasi ne donim të vrisnim Gramoz Selmanin”, - thuhej në deklaratën e Beqirit. Më pas, ish-efektivi ka shpjeguar se Rabija qe larguar nga Shqipëria se kishte frikë se e vriste Aldo Bare.
Dosja
Organi i akuzës ka përfunduar hetimet dhe ka sjellë prova të pakontestueshme për vrasjet e Nimet Zenelit, Masar Aliut, Idajet Beqirit, Luan Bilbilit, Xhevdet Demirit, vrasje që kanë ndodhur gjatë viteve 1997-1998. Më 13 shkurt të vitit 1998 u ekzekutua Nimet Zeneli, vetëm 9 ditë më vonë u ekzekutuan Mazar Aliu dhe Idajet Beqiri. Këto vrasje u shoqëruan me atë të Luan Bilbilit më 18 gusht 1988. Të pandehurit e bandës së Lushnjës, Enver Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion Cici, Rexhep Gina, Eduard Demiri, Agur Musaka, janë të proceduar nga prokuroria. Njëri prej të pandehurve, Agur Musaka, i cili është shpallur në kërkim, do të gjykohet nga Drejtësia shqiptare në mungesë. Agur Musaka është njëri prej anëtarëve të fundit të përfshirë në bandën e Lushnjës. Musaka akuzohet për veprën penale të shkatërrimit të pronës në emër të bandës.

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›