Shoferi i kërcënon, mësuesit e Ishmit e denoncojnë në polici
Durrës – Mësuesit e shkollës së Ishmit nuk kanë gjetur rrugë tjetër veç denoncimit për shoferin e autobusit, i cili, përveçse nuk u ofronte shërbim korrekt, i ka kërcënuar. Edhe pse udhëtonin çdo ditë me të, nuk kanë mundur të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit. Mësuesit kanë pasur ankesa për shërbimin që u ofrohej nga drejtuesi i mjetit dhe këto ankesa i kanë çuar deri te eprorët e tyre më të lartë. Pas kësaj, shoferit i është tërhequr vëmendja dhe madje është paralajmëruar të jetë korrekt se në të kundërt mund të prishej edhe kontrata e pajtimit të tij nga Drejtoria Arsimore. Sipas deklaratës së policisë lokale, i zemëruar përsa më sipër, dy ditë më parë, rreth orës 13:00, duke drejtuar autobusin e linjës Durrës-Ishëm, pajtuar nga Drejtoria Arsimore Durrës, pak para se të ndalonte në afërsi të stacionit të trenit, disa metra më larg vendit të caktuar, ai i është drejtuar një grupi prej katër mësuesish që ndodheshin në autobus me fjalë ofenduese. “Ju që jeni ankuar për mua nuk do të hipni më në autobusin tim. Do t’ju shtyp kokën”, - dyshohet se u ka thënë shoferi mësuesve të mbetur. Arsimtarët kanë bërë menjëherë kallëzim pranë Komisariatit të Policisë së Durrësit. Uniformat blu po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Po sipas policisë, më 22 janar 2009 ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të Bilal Kërkushës, 51 vjeç, lindur dhe banues në Durrës. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Durrësit për veprën penale të “kanosjes”.
24 Janar 2009