Kompania amerikane do të certifikoje në shtator Universitetet publike dhe private
Jonida Tashi
Universitetet publike dhe private në vend gjatë vitit të ri akademik do t’i nënshtrohen procesit të akredimit. Ndërkohë që mbi bazën e rezultateve do të merren edhe masat përkatëse për universitetet që nuk plotësojnë standardet. Në shtator një kompani amerikane e vlerësimit të cilësisë të Institucioneve të Arsimit të Lartë pritet të mbërrijë në vendin tonë, për të kryer akreditimin e jashtëm për çdo institucion publik dhe privat të Arsimit të Lartë shqiptar. Pikërisht kjo kompani do të ketë në dorë të gjitha të dhënat për çdo universitet, mbi bazën e të cilave do të bëjë jo vetëm vlerësimin, por edhe renditjen e tyre në pikë. Vetëm në përfundim të këtij procesi ne do të mund të mësojmë nëse ja vlen të studiosh në një universitet publik apo privat dhe se sa vlerë ka një diplomë.
Nisma
Kryetari i Konferencës së Rektoreve, Jorgaq Kaçani për këtë çështje shprehet: “Nisma e ndërmarrë nga qeveria, nën kujdesin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo dhe e mbështetur nga Banka Botërore, pritet t’i japë rezultatet brenda vitit të ri akademik”. Aktualisht në vendin tonë numërohen 12 Universitete publike dhe rreth 15 private, këto të fundit janë hapur pas vitit 1991, me vendosjen e demokracisë. Duke e konsideruar nismën e akreditimit të universiteteve si një ngjarje të rëndësishme në fushën e arsimit, kreu i rektorëve sqaron se në kuadër të Programit Barazi dhe Ekselencë në Arsim, Ministria e Arsimit, parashikoi që në fillim të këtij viti, që të marrë një kompani të vlerësimit të jashtëm të cilësisë të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe të vlerësimit të jashtëm të Sigurimit të Cilësisë në Institucionet e Arsimit të Lartë si publik ashtu edhe privat.
Vlerësimi
Vlerësimi do të paraqesë një renditje me pikë jo vetëm të Institucioneve të Arsimit të Lartë, por edhe të programeve te veçanta të studimit, pra për çdo diplomë. Sipas Kaçanit, raporti i vlerësimit të jashtëm të kompanisë amerikane, do të mbështetet në raportin e vetëvlerësimit, në dokumentacionin e konsultuar, si dhe rezultatet e vizitës në vend në IAL-vë. Aktualisht janë përcaktuar vetëm hapat e parë që do të ndiqen në procesin e akreditimit të Universiteteve. Pikërisht në këto hapa përfshihen fazat e vlerësimit, shpërndarja e raporteve dhe publikimi.
Kjo nismë do të mbështesë MASH-in dhe Agjencinë e Akreditimit në kryerjen e Vlerësimit Institucional të pavarur të IAL publike dhe private kundrejt kërkesave dhe standardeve europiane të harmonizuar me ato kombëtare. Si rrjedhojë, shumë shpejt do të kemi një vlerësim ndërkombëtar të jashtëm të institucioneve kombëtare, përsa i takon cilësisë së tyre. Këtu përfshihet Agjencia e Akreditimit, Këshilli i akreditimit, MASH.
Fazat
Vlerësimi i Jashtëm i Cilësisë në Arsimin e Lartë do të implementohet në tri faza. Faza përgatitore përcakton se Agjencia Shqiptare e Akreditimit dhe kompania vlerësuese do të hartojnë planin kalendar dhe planin e vlerësimit. Ndërkohë që procesi i vlerësimit të IAL dhe Agjencisë Kombëtare të Akreditimit të Arsimit të Lartë do të bëhen paralelisht. Në këtë proces Agjencia e Akreditimit ka për detyrë të sigurojë informacionin e nevojshëm për çdo universitet, ndërsa kompania vlerësuese do të hartojë dhe prezantojë listën për vlerësimin institucional. Pas kësaj, grupi i ekspertëve do të verifikojë në vend të gjithë universitetet publike dhe private sipas axhendës së përgatitur. Agjencia do të koordinojë dhe asistojë të gjithë procesin e verifikimit në vend dhe respektimin e programit paraprak. Faza e fundit përcakton se grupi i vlerësimit paraqet raportet individuale të vlerësimit për çdo universitet të vlerësuar dhe raportin e vlerësimit për agjencinë.
Rezultatet
Rezultatet përfundimtare të këtij procesi për rreth 27 universitete në vend do t’i dorëzohen Ministrisë së Arsimit. Rezultatet e vlerësimit të kompanisë amerikane do të bëhen publike nga MASH-i, e cila mbi bazën e tyre (rezultateve) do të marrë dhe masat përkatëse ndaj universiteteve publike dhe private, që nuk plotësojnë standardet. Për vlerësimin institucional të IAL, Agjencia Kombëtare e Akreditimit duhet t’i vendosë në dispozicion kompanisë amerikane informacionin ekzistues dhe të dhëna mbi IAL si, dokumente ligjore, ndër të cilat ligji i arsimit të lartë, strategjia kombëtare për arsimin, listën e IAL publike dhe private, evidenca të vlerësimeve të mëparshme, informacione të tjera analitike të krahasueshme në lidhje me programet e studimit, shpërndarja e listës dhe monitorimi i procesit të përgjigjeve. Në lidhje me vlerësimin e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë Agjencia duhet të sigurojë informacione mbi aktivitetin e tyre, të përgatisë raport vetëvlerësimi, të sigurojë dokumente ligjore dhe akte nënligjore në lidhje me sigurimin e cilësisë. Në bazë të të dhënave për vendimmarrjen në fushën e akreditimit, të marra nga MASH-i, kompania do të përgatisë planin e punës, metodologjinë, procedurat për vlerësimin institucional, metodologjinë për të bërë krahasimin dhe radhitjen, etj.
26 Korrik 2008