Oketa dhe Bosch, nënshkruajnë për asgjësimin e raketave sovjetike “melanzh”
TIRANË – Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa dhe ambasadori i radhës i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, nënshkruan sot marrëveshjen teknike për asgjësimin e stokut të përbërësve të karburantit të raketave “Melanzh”. Një javë pas prezantimit përpara trupit diplomatik të plan-veprimit mbi asgjësimin dhe shkatërrimin e municioneve të tepërta në Shqipëri, i cili parashikon që në vitin 2010 rreziku nga municionet për popullatën të jetë reduktuar në zero dhe brenda vitit 2015 e gjithë sasia e municioneve të tepërta të jetë eliminuar, ka ardhur edhe mbështetja e parë, e cila është ofruar nga përfaqësuesi i OSBE-së. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Oketa duke falënderuar përkrahjen dhe mbështetjen që i jep ambasadori Bosch tha se “arritja e kësaj marrëveshje do të mundësojë asgjësimin e 30 mijë litra “melanzh”, i cili është një kimikat i rrezikshëm”.
“Jam i sigurt se do të jetë një projekt i suksesshëm, i cili do të kryhet brenda një harku kohor në më pak se 6 muaj dhe asgjësimi i kësaj lënde toksike do të transportohet e më pas asgjësohet në një vend të sigurt”, nënvizoi ministri Oketa.
Nga ana e tij, ambasadori i OSBE-së, Bosch, tha se “OSBE-ja është aktive në shkatërrimin e municioneve në një rajon shumë të gjerë, ky është hapi i parë i ardhjes në ndihmë të Shqipërisë për shkatërrimin e kimikateve të rrezikshme, dhe unë do të doja të falënderoja vendet anëtare të OSBE-së që e mundësuan këtë ndihmë, si Greqia, Finlanda, Suedia etj”. Projekti për asgjësimin e stokut të përbërësve të karburantit të raketave “Melanzh”, është vazhdim i një sërë projektesh tashmë të përfunduara me sukses nga Ministria e Mbrojtjes. Projekti do të nisë nga puna menjëherë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, pjesë e së cilës është edhe kompania suedeze SAKAB AB, kompani e cila do të merret me zbatimin e projektit në fjalë
26 Korrik 2008