E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kredia e keqe”, 7 të pandehur pranojnë “fajin”, kërkojnë gjykim të shkurtuar



Luan Kondi

TIRANË – Ka nisur pas disa muajsh hetim seanca gjyqësore për tetë të pandehurit e “Kredisë së keqe”. Trupi gjykues edhe pse 7 prej tyre kërkuan gjykim të shkurtuar nuk ka marrë asnjë vendim, por vendosi që ta shpallë atë në seancën e radhës që do të zhvillohet në shtator.
Seanca
Arben Beqiri, Astrit Graceni, Blendi Sharra, Luan Gjika, Mahmut Barziu, Selman Mici, Taip Celaj dhe Shaqir Saliu, u përballën me akuzën për veprat penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “Mashtrim më shumë se një herë” dhe “Falsifikim dokumentesh në bashkëpunim”. Nga hetimet e kryera prej njësisë Task Force ka rezultuar se tetë të akuzuarit, në bashkëpunim me njëri -tjetrin kanë kryer veprime të kundërligjshme, duke iu dhënë personave të ndryshëm në disa qytete kredi bankare në shuma të konsiderueshme lekësh. Këto kredi janë nxjerrë nga personat e mësipërm duke bashkëpunuar me oficerin e kredisë, shtetasin Taip Çelaj, duke përdorur dokumente me të dhëna të rreme, ndërsa në këmbim të nxjerrjes së kredive, personave kredimarrës dhe dorëzanës së kredive u siguronin viza për jashtë shtetit dhe i ndihmonin për kalimin e kufirit shtetëror në mënyrë të kundraligjshme. Shtatë nga të pandehurit kërkuan gjykim të shkurtuar, ndërsa i pandehuri Shaqir Saliu, i cili nuk ishte paraqitur në gjykatë, me anë të avokatit të tij, Enver Mema, kërkoi procedim normal të çështjes. Trupi gjykues, i kryesuar nga Bujar Krasniqi, për shkak të kompleksitetit të çështjeve, nuk mori asnjë vendim lidhur me këto kërkesa, ndërkohë që vendosi ta shtyjë seancën për në shtator 2008.
Ngjarja
Nga hetimet disamujore, të kryera me metoda speciale, rezulton se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprime të kundërligjshme për pajisjen e personave të ndryshëm në disa qytete të vendit me kredi bankare pranë një banke të nivelit të dytë, në shuma të konsiderueshme. Burimet policore thanë atëherë se indice për ndalimin e personave ishte bërë një kallëzim nga dega e njërës prej bankave private më të mëdha në vend. Sipas denoncimit të bankës, ata kishin ngritur një skemë të vërtetë mashtrimi, me anë të së cilës kishin marrë kredi që i kalonte të 80 milionë lekët. Ata kishin aplikuar për kredi pikërisht tek oficeri i kredive Taip Beqiri, i njohuri i tyre. Ai kishte kaluar pa bërë zë të gjitha dokumentet e falsifikuara në një kohë kur duhet të kishte bërë verifikimin e saktë të tyre duke parë me kujdes objektet e lëna peng nga kredikërkuesit dhe vërtetimet e pronësive të tyre. Pas kalimit të dokumenteve dhe raportit të përpiluar nga agjenti i kredisë, banka ka miratuar shumën dhe kredikërkuesit e kanë tërhequr atë. Por, pak kohë më pas, një verifikim i kryer në degën lokale të bankës private ka zbuluar skemën e mashtrimit. Policia ka shfrytëzuar orët e vona të darkës së një prej ditëve të ftohta të fundjanarit kur të gjithë të kërkuarit ndodheshin në banesat e tyre dhe kanë vepruar njëkohësisht në pesë vende të ndryshme duke kryer arrestimin e tyre pa i lënë mundësi të largoheshin.

26 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›