Falsifikimi i pensioneve, hetime për tre minatorë
DURRËS – Skandalet e pensioneve vazhdojnë sërish, ku vetëm dje, policia e Durrësit ka kaluar për procedim penal tre minatorë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ka nisur hetimi në gjendje të lirë ndaj shtetasve: Besim Farruku, lindur dhe banues në fshatin Armadh, Reshat Hoxha, lindur dhe banues në Durrës dhe Fiqeri Hamati, lindur dhe banues në lagjen Nr. 17 të qytetit bregdetar. Procedimi penal ne ngarkim te tyre filloi për arsye se në bazë të hetimeve të kryera rezultoi se këta shtetas, duke përdorur dokumente të falsifikuara, kanë arritur të përfitojnë pension për trajtim të veçantë të minatorit që prej vitit 2000. Policia kishte sekuestruar dosjet e tyre të pensionit.
Prangosen vëllezërit, vodhën dy kokë dele
TEPELENË – Dy vëllezër kanë vjedhur dy ditë më parë delet në pronësi të një shtetasi, por janë arrestuar nga policia, ndonëse forcat e rendit kanë hasur në rezistencë. Burimet policore raportojnë se mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 18.00, u kapën në flagrancë shtetasit: Sokol dhe Adem Lula, lindur dhe banues në fshatin Kashishtë të rrethit të Tepelenës. Ata dyshoheshin se i kanë vjedhur të enjten paradite shtetasit Astrit Dura 2 dele. Në banesën e Adem Lulës u gjet një çifte pa leje. Ai ka kundërshtuar me dhunë forcat e policisë.
Mjet zjarrfikës për kapjen e të kërkuarit
DURRËS – Për kapjen e njërit prej të kërkuarve për plagosjen, policia ka përdorur një mjet zjarrfikës, i cili ka shërbyer për tu ngjitur në katin e gjatë të banesës ku ishte fshehur. Burimet zyrtare të Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se në orën 1.00 të ditës së djeshme u arrestuan Vaniol Kodhe dhe Ermal Kulla, të dy me banim në Fieri. Ata kishin ardhur për pushime në Durrës dhe kishin marrë me qira një banesë në qytetin bregdetar. Arrestimi i dy 21-vjeçarëve Kodhe dhe Kulla u bë për arsye se dy ditë më parë, rreth ores 17.30, kanë shkuar në lokalin “Bar Korça”, në zonën e plazhit ku janë konfliktuar dhe më pas kanë goditur me thikë në kraharor, duke i shkaktuar dëmtime të rënda shtetasit G.B., 26 vjeç. I lënduari ishte kamerier në barin ku ndodhi konflikti. Policia identifikoi dy të dyshuarve, të cilët kishin marrë me qira një banesë ne qytetin e Durrësit. Zëdhënësja e Policisë Ornela Caka pohon se për kapjen e Vaniol Kodhes, u bashkëpunua edhe me shërbimin zjarrfikës, i cili vuri në dispozicion një nga automjetet e tij me qëllim ndërhyrjen në katin e 6-të të pallatit.
26 Korrik 2008