E Diel, 1 Nëntor 2026

Bimët narkotike, policia shqiptaredhe "Guardia": Ja si po i asgjesojmë

TIRANË -  Vlora, Shkodra, Gjirokastra, Tirana dhe Durrësi janë zonat ku spikasin parcelat e mbjella me bimën narkotike kanabis sativa. Pikërisht mbi këto zona janë përqëndruar edhe monitorimet nga ajri, me helikopterë specialë e deri edhe me satelit, të policisë shqiptare dhe asaj italiane. Në veçanti, me teknologjinë e fjalës së fundit, është filmuar deri në detaje, fshati Lazarat i Gjirokastrës, aq problematik dhe rezistues ndaj kultivimimit të kësaj bime.

Pikërisht, për të rrëfyer detajet e dy operacioneve që policia shqiptare sëbashku me "Guardia Di Finanzia"-n kanë nisur në qershor dhe mbyllin në shtator, kanë dalë sot në një konferencë për shtyp, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj dhe Drejtori i Repartit të Aviacionit të Guardia Di Finanza, z. Stefano Bastoni.

Ata kanë dëftuar operacionet me helikopter për të asgjesuar parcelat e drogës dhe arrestuar kultivuesit e saj. I pranishëm në konferencë ishte edhe Zv/Ambasadori Italian në Shqipëri, z. Giuseppe Berlendi, i cili mbyll misionin e tij 4-vjeçar në Shqipëri.

Drejtori i Policisë së shtetit shqiptar, Burgaj tha: "Të dy policitë tona janë duke bashkëpunuar dhe monitoruar nga ajri me avionë të specializuar, parcelat e drogës. Operacioni drejtohet dhe mbështetet nga Italia duke ndikuar dukshëm në rritjen e cilësisë së punës së policisë shqiptare.
 
Nga filmimet ajrore është bërë i mundur fotografimi i të gjitha parcelave në vend dhe zonat më problematike janë Vlora, Shkodra, Gjirokastra, Tirana dhe Durrësi. Kemi të bëjmë kryesisht me sipërfaqe të vogla, larg zonave të banimit dhe në zona të thella malore.

Autorët në shumë raste janë shpërngulur nga vendbanimet e tyre. Janë asgjësuar 108 parcela nga rreth 500 dhe janë proceduar 33 shtetas; 23 janë arrestuar dhe të tjerë janë në kërkim.

Në këtë operacion, policia ka angazhuar forca të specializuara të mbështetura nga helikopterë. Kontrolli dhe krehja e zonave do vazhdojnë deri në shtator sëbashku me asgjësimin e parcelave. Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike do të vazhdojë deri në heqjen e plotë të Shqipërisë nga harta e kultimimit të tyre."

Drejtori i Repartit të Aviacionit të Guardia Di Finanza, z. Stefano Bastoni, nga ana e tij se “bashkëpunimi ndërkombëtar i afruar nga vendi ynë për monitorimin nga ajri të parcelave të drogës është një mundësi për të ndërprerë trafikun e drogës që për shkak të afërsisë së vendeve, mbërrin deri në Itali. Vetëm në një rast, imazhet e marra nga sateliteti mbi fshatin Lazarat, krahasuar me ato të avionit të Guardia-s mundësuan fotografimin e parcelave të këtij fshati siç nuk ishte bërë kurrë më parë; ky volum tepër i madh të dhënash që u mblodh, mund të shfrytëzohet për kontrollin e atij territori."

Të dy drejtuesit e policive theksuan në përfundim të takimit se qëllimi i tërë këtyre veprimeve është nxjerrja e Shqipërisë nga harta e kultivimit të drogës.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›