E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritet një rritje me 10 e lekë e akcizës së cigareve

Vendimi synon uljen e konsumit dhe përafrimin e nivelit të akcizës me atë të vendeve të BE-së

Shqipëria renditet ndër vendet me një konsum të lartë të duhanit. Statiskat tregojnë se aktualisht në vend numërohen rreth 900 mijë konsumatorë, që përgjatë një viti llogariten të pijnë mbi 6 mijë tonë duhan, ndërkohë që konsumi i cigareve në vend po njeh rritje. Referuar këtij fakti, qeveria ndërmori një tjetër hap javën e fundit për uljen e konsumit të cigares, duke rritur akcizën me 10 lekë/paketë, pas rritjes së fundit prej 15 lekë/paketë në vitin 2006, së bashku me miratimin e ligjit Antiduhan në vitin 2007. E thënë ndryshe, çdo konsumator pritet që me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në ligjin "për akcizat", i cili do të shkojë në kuvend në shtator me fillimin e legjislaturës së re, të paguajë minimumi 10 lekë më tepër për çdo paketë të blerë. Ekspertë të financave publike shprehen se vendimi synon uljen e konsumit të këtij artikulli nga shtetasit shqiptarë, pasi ky lloj malli konsiderohet i dëmshëm për shëndetin, jo vetëm të atyre që e konsumojnë, por edhe personave të tjerë rreth tyre. Një tjetër shkak sipas tyre është dhe përafrimi i nivelit të akcizës, për këtë artikull me vendet e BE-së. Deri tani, për cigaret paguhej akciza prej 40 lekë/paketa, ndërsa me hyrjen në fuqi të ndryshimeve për akcizën, do të paguhet 50 lekë/paketa. Në këtë mënyrë, sipas vendimit të qeverisë, akciza për puro dhe cigarillos që përmbajnë duhan do të rritet nga 2.240 lekë për kg në 2.500 lekë për kg. Ndërsa për puro, cigarillos dhe cigare me zëvendësues duhani, niveli i akcizës prej 1.500 lekë/kg nuk do të ndryshojë. I njejti nivel do të mbetet edhe për kategorinë duhan tjetër i përpunuar dhe zëvendësuesit e duhanit, duhan i homogjenizuar ose i rindërtuar, ekstrakte dhe esenca prej duhani. Fenomeni i duhanpirjes sipas specialistëve është më i shpeshtë në vendet e varfra dhe ato në zhvillim. Shqetësuese janë statistikat, sidomos për të miturit e të rinjtë si dhe femrat në Shqipëri, pasi numri i tyre është rritur me shpejtësi në vitet e fundit dhe vazhdon të njohë një progresion të tillë. Vetëm gjatë vitit 2008 në vendin tonë hynë përmes doganës 4,238 ton cigare. Në Shqipëri në Maj, 2007 ka hyrë në fuqi ligji i duhanit, i njohur si "Ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit", i cili synon të ashpërsojë luftën ndaj pirjes së duhanit. Nenet kryesore të ligjit ndalojnë pirjen e duhanit në të gjitha mjediset publike të mbyllura së bashku me ndalimin e reklamës së duhanit. Sipas OBSH, çdo 6.5 sekonda në botë vdes një duhanpirës. Studimet tregojnë se personat që fillojnë të pijnë duhan në adoleshencë, që zënë më shumë se 70 për qind e duhanpirësve, dhe vazhdojnë të pijnë duhan për 20 vjet, humbasin 20-25 vjet, krahasuar me jo duhanpirësit. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›