Kanali gërryen themelet e pallatit, banorët në alarm
BERAT - Kanali i bllokuar i ujërave të zeza rrezikon përhapjen e epidemisë për 30 familje në lagjen "10 korriku" të qytetit të Beratit. Banorët janë ankuar herë pas here jo vetëm nga frika e epidemisë, por edhe shembja e pallatit. Kjo për shkak se kanali i ujërave të zeza është thuajse në themelin e pallatit, çka ka amortizuar jashtë mase muret e saj. Familjarët ankohen se në shumë vende pallati ka pësuar çarje, ndërsa themelet e saj kanë pësuar gërryerje. Ata jetojnë me frikë se një ditë godina mund të shembet. I kanë kërkuar bashkisë, madje personalisht kryetarit të saj, Fadil Nasufi, që të merren masa urgjente për të shpëtuar jetën e dhjetëra banorëve që jetojnë në të. "Kemi 10 vjet që jetojmë në këto kushte. Në verë nuk hapim dot as dritaret nga era e keqe që vjen. Fëmijët janë të detyruar të luajnë në oborr, vetëm pak metra larg këtij kanali, duke rrezikuar të marrin sëmundje të rënda", u shpreh Anastas Arbëri. Ai banon në këtë pallat prej shumë vitesh. Sipas tij, ai dhe banorë të tjerë kishin shkuar disa herë në bashki për këtë shqetësim, por nuk kanë gjetur një zgjidhje. Duke shtuar më tej, Arbëri thotë se shkak i kësaj situate janë bërë disa ndërtesa të reja, të cilat kanë bllokuar kanalin e ujërave të zeza. Pas bllokimit ujërat kanë vërshuar në sipërfaqe. "Nga këto ujëra janë infektuar 5 persona, të cilët kanë përfunduar në spital", tha Arbëri. Drejtoresha e shërbimit publik në bashki, Hajrie Mbrataj, u shpreh në lidhje me këtë problematikë se ishin në dijeni të saj, por nuk kanë fonde për të ndërhyrë. Gërryerja e themeleve të pallatit ka bërë që banorët që jetojnë në të, të vihen në alarm dhe të paralajmërojnë se do të futen në grevë urie, në rast se nuk do të merren masa urgjente. d.xh