Gjirokastër, kapet i kërkuari
GJIROKASTER - Pas vuajtjes së dënimit me burg në Greqi, kthehet për të vuajtur edhe 3 vjet të tjera në burgjet shqiptare. Kjo i ka ndodhur Gramoz Shkurtit, 31-vjeçarit nga Kuçova e Beratit, i cili në ditën e parë të lirisë pas vuajtjes me burg në Greqi, kthehet në Shqipëri ku e priste një tjetër dënim. Burimet policore pohojnë se ndalimi i tij u bë nga Seksioni i Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Në bazë të të dhënave që emetohen zyrtarisht nga Policia e Gjirokastrës, Gramoz Shkurti ka qenë person i shpallur në kërkim nga kjo polici që më 7 dhjetor të 2005-ës, pasi shkalla e parë e gjyqësorit e pati dënuar atë në mungesë me tre vjet burg si dhe me 4 milionë lekë gjobë. Ky vendim nga ana e gjyqësorit u mbështet me konsumimin e veprës penale të dhënies ndihmë për kalim ilegal të kufirit kundrejt fitimit. Në 2005, Shkurti ka ndihmuar disa shtetas nga Kuçova dhe Berati për të kaluar kufirin ilegalisht drejt Greqisë, në këmbim të shumave nga 700-1000 euro për person. Në momentin e dhënies së vendimit të gjykatës, Shkurti ka qenë në arrati në Greqi dhe e ka mësuar vendimin kur ndodhej atje. Ndërkohë, nga Gjykata e Patrës ai kishte marrë dënimin me 3 vjet të tjera heqje lirie, për akuzën e kultivimit të bimëve narkotike. Pas mbërritjes në Kakavijës, sistemi Tims e ka nxjerrë 31-vjeçarin si person të kërkuar. p.n