ISHP: Në shtator pritet të jetë gati një laborator i ri virologjik

Shqqipëria pritet të ketë brenda muajit shtator të këtit viti laboratorin e ri virologjik në Institutin e Shëndetit Publik, funksionimi i të cilit pritet të shmangë dërgimin e analizave në shtete të tjera, si në rastin e virusit A (H1N1), i njohur ndryshe si gripi i derrit. Burime nga ISHP thanë sot se "me vënien në funksionim të këtij laboratori monstrat do të merren dhe analizohen në vend, duke përshpejtuar kështu përgjigjen". Dy ditë më parë Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e konsideroi një humbje kohe dërgimin e analizave në Rumani apo Londër për virusin e gripit A (H1N1). "Ne kemi virologë të rangjeve europiane që kanë mundësi të organizojnë diagnozën brenda 24 orëve", tha ajo. Nga një laborator i një niveli të dytë që ekziston aktualisht në Shqipëri dhe nga i cili përfitohen përgjigje paraprake të analizave, laboratori do të jetë i sigurisë së tretë dhe do të mundësojë shërbim më të shpejtë dhe efikas. Virologjia është një ndër fushat më të rëndësishme në shëndetësi, ndërsa një nga pikat e dobëta në sistemin tonë shëndetësor ka qenë pikërisht se mungesa e një përgjigje adekuate në fushën e virologjisë.
...