Miratohen të tjera programe studimi për arsimin e lartë

Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë do të ofrojnë programe të reja studimi për vitin e ri akademik. Qeveria miratoi në mbledhjen e djeshme hapjen në Fakultetin e Drejtësisë, të Universitetit të Tiranës, të programit të përbashkët rajonal të studimit “Master në “EU Business Laë”” (Master në të Drejtën e Biznesit të BE-së) dhe çeljen e programit të studimeve, të ciklit të tretë, të doktoratës në matematikë, në Fakultetin e Shkencave Teknike, të universitetit “Ismail Qemali”, të Vlorës. Sipas vendimit të miratuar, kohëzgjatja normale e programit të studimeve të doktoratës në matematikë është të paktën 3 vite dhe përfshin edhe 60 kredite për studime të organizuara. Kuotat e pranimit në këtë program studimi për vitin 2009, janë 25, prej të cilave 10 për kandidatë nga jashtë kufijve të vendit. Tarifa e plotë e shkollimit për këtë program studimesh është 400 000 (katërqind mijë) lekë dhe likuidohet me këste, sipas përcaktimeve të bëra nga fakulteti përkatës, për çdo vit të kohëzgjatjes normale. Doktorantët, nga stafi akademik i brendshëm i institucioneve të arsimit të lartë, paguajnë 50 për qind të tarifës së shkollimit. Ndërsa programi i studimit në Fakulettin e Drejtësisë do të jetë pjesë e studimeve të ciklit të dytë. Ai do të organizohet me 60 kredite dhe kohëzgjatje normale një vit, përfshirë edhe mikrotezën, dhe në përfundim të studimeve lëshohet një diplomë “Master në “EU Business Laë””. Në këtë program studimi do të pranohen kandidatët që kanë fituar diplomë në përfundim të një programi studimi të ciklit të parë, me kohëzgjatje normale 4 vjet, me 240 kredite, sipas sistemit të Bolonjës, ose që zotërojnë një diplomë tjetër, ekuivalente me të, të kryer jashtë vendit. Gjithashtu, në këtë program studimi mund të pranohen edhe kandidatë që zotërojnë diplomë të nivelit të dytë, diplomë të integruar të nivelit të dytë ose diplomë tjetër, të fituar jashtë vendit, ekuivalente me to, të cilët kërkojnë të kualifikohen në këtë drejtim. Kuotat e pranimit në këtë program studimi, me kohë të plotë, në vitin akademik 2009-2010 do të jenë 40 studentë. Tarifa e shkollimit do të jetë 70 000 lekë.
...