E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni bën trajnerin: “Dinjo, si sulmues i dytë”



Kryeministri i Italisë dhe padroni i Milanit, Silvio Berluskoni, gjithnjë ka diçka për të thënë, madje të bëjë edhe vlerësime të karakterit taktik. Silvio shfaqet në rolin e një “mentori”, duke dhënë këshilla si një trajner elite. “Besoj se Ronaldinjo duhet të luajë në zemrën e aksionit final, aty brenda zonës së portës. Tamam-tamam unë do ta kisha futur të luante si sulmues i dytë. Nëse do të isha unë ai që e bën skuadrën, do ta vija Sedorfin si numër 10 për të dhënë pasin final, Paton sulmues të parë dhe Ronaldinjo sulmues të dytë. Nëse do të luajë në këtë pozicion, thotë në fund Berluskoni, jam i bindur që në fund të kampionatit do të jetë mes protagonistëve. Nuk do ta ndërroja Ronaldinjon me asnjë lojtar tjetër që njoh”, -tha Berluskoni për emisionin “Processo di Biscardi”. Berluskoni ka folur për momentin aktual të Milanit, duke kaluar nga forma e Ronaldinjos e deri te shitja e Kakasë. “Nuk jam dakord, thotë ai, me ata që mund të mendojnë për një Milan të dorëzuar. Kemi një skuadër me 29 lojtarë, mund të zbresim në fushë dy skuadra të nivelit, pasi kemi kampionë që skuadrat vetëm mund t’i kenë zili. Pato? Është një talent absolut, këtë e them edhe në lidhje me moshën e tij. Milani ka bërë shumë mirë që ka pasur besim tek ai, në momentin që iu desh të zgjidhte mes dy yjeve brazilianë”. Së fundi, është pamundur të mos mendojë për derbin e së shtunës kundër rivalëve të përjetshëm, Interit. “Për ndeshje të tilla nuk mund të bëhen parashikime, sepse në praninë e skuadrave shumë të forta, rezultati i besohet fatit, gjykimit të gjyqtarit. Ajo që mund të them është se Milani do të zbresë në fushë për të fituar dhe për të qenë padron i saj, duke kërkuar të arrijë suksesin nëpërmjet argëtimit”, ka përfunduar Sivio Berluskoni.

Galiani: “Murinjo është “dhelpër”

Te Milani, trajneri i Interit, Hoze Murinjo, është gjithmonë një çështje, madje përcaktimi i fundit i përket numrit dy të klubit kuqezi, administratori të deleguar dhe të besuarit të Berluskonit, Adriano Galiani. Të shtunën do të luhet derbi i “Madoninës”, dhe një “veteran” i tribinës “VIP” të “San Siros”, si Galiani, nuk beson se skuadra e tij do të ketë të shtunën në derbi rolin e favoritit, dhe ka një arsye për ta besuar atë: “Murinjo është një dhelpër”. Derbi ka dhuruar gjithmonë spektakël dhe ka pasur protagonist të mëdhenj. Kaka ka ikur nga Milano për të zbarkuar në radhët e spanjollëve të Realit të Madridit, por zemra e tij ka mbetur kuqezi. “Milani ka bërë një lojë të mirë ndaj Sienës. Derbi? Shpresoj që të fitojë Milani, edhe pse këto janë gjithmonë ndeshje të veçanta dhe të vështira”, - tha Kaka në një prononcim të dhënë për televizionin “Sky Sport 24’”

26 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›