ISHP-ja: Sëmundjet seksualisht të transmetueshme në rritje
Sëmundjet seksualisht të transmetueshme në vendin tonë janë në rritje të shpejtë. Specialistë të ISHP-së shprehen se pas viteve ’90, numri i infeksioneve seksualisht të transmetueshme ka ardhur gjithmonë duke u rritur edhe pse vendi ynë konsiderohet vend me prevalencë të ulët të infeksioneve seksualisht të transmetueshme.
Të dhënat u bënë publike nga ISHP-ja gjatë një seminari në Ditën e Sensibilizimit për IST dhe Përdorimin e Kontraceptivëve”. Gjatë diskutimeve të seminarit u deklarua se infeksionet seksualisht të transmetueshme përbëjnë një problem për shëndetin publik në vend. Sipas mjekut infeksionist Arian Harxhi, rastet e evidentuara dhe të raportuara kryesisht nga Tirana i përkasin moshave të reja seksualisht aktive. Ata janë individë të identifikuar si me sjellje të rrezikshme, të rinj që kryejnë marrëdhënie seksuale të pasigurta me multipartnerë. Rritja e rasteve të IST-së ndodh si pasojë e mungesës së edukatës për t’u mbrojtur nga këto sëmundje apo për t’u konsultuar me mjekun. Për parandalimin e këtyre sëmundjeve nevojitet edukimi i opinionit publik në drejtim të njohjes së rrugëve të transmetimit të viruseve dhe të shenjave në mënyrë që të kërkojnë ndihmë mjekësore.
23 Shkurt 2008